Nëse sot Kina është një nga fuqitë dominuese në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, meritën kryesore për këtë ia detyron një aleati të papritur, Shqipërisë komuniste. Gjatë Luftës së Ftohtë, Shqipëria u bë zëri më i fortë në sallat e Nju-Jorkut, duke ndryshuar hartën politike globale, por kjo histori përfundoi me një shkëputje brutale, sabotim ekonomik dhe izolim të plotë paranojak.
Deri në vitin 1971, Kombet e Bashkuara e njihnin qeverinë e arratisur në Tajvan si përfaqësuesen e vetme legjitime të popullit kinez. Diplomacia shqiptare, përmes figurave si Halim Budo dhe Nesti Nase, loboi për një dekadë rresht që Pekini të zinte këtë vend. Më 25 tetor 1971, Rezoluta 2758 e OKB-së, e njohur ndërkombëtarisht si “Rezoluta Shqiptare”, u miratua me 76 vota pro, duke dëbuar përfundimisht Tajvanin dhe duke i dhënë Republikës Popullore të Kinës të drejtën e vetos që gëzon edhe sot.
Kjo aleancë ishte një “litar shpëtimi” financiar dhe ushtarak për regjimin e Enver Hoxhës. Mes viteve 1954 dhe 1978, Kina i dha Shqipërisë rreth 5 miliardë juanë (mbi 1 miliard dollarë të asaj kohe), që me fuqinë blerëse të sotme përkthehet në mbi 15 miliardë dollarë.
Këto fonde financuan pothuajse gjithë industrinë e rëndë shqiptare, si Kombinatin Metalurgjik në Elbasan dhe hidrocentralet e mëdha. Paralelisht, Kina e ktheu Shqipërinë në një bazë gjigante ushtarake në Ballkan, duke e furnizuar falas ose me kredi të pashlyeshme me qindra avionë reaktivë MiG, tanke, miliona armë të lehta dhe katër nëndetëse për bazën e Pashalimanit. Për pothuajse dy dekada, tregu shqiptar u përmbyt nga produktet kineze, që nga biçikletat “Forever” e termosat me lule, e deri te filmat kinezë në kinema.
Në prapaskenë, marrëdhënia shoqërohej me një kontroll paranojak. Inxhinierët dhe diplomatët kinezë në Shqipëri jetonin të izoluar në kampe të veçanta; u ndalohej rreptësisht të krijonin miqësi private apo të hynin në shtëpitë e shqiptarëve, ndërsa Sigurimi i Shtetit i përgjonte në çdo hap. Për më tepër, gjatë ndërtimit të veprave të mëdha industriale, dhjetëra teknikë kinezë humbën jetën në aksidente pune dhe u varrosën në Shqipëri, si dëshmi e heshtur e kësaj miqësie.
Rrapi i madh nisi të lëkundej po në vitin 1971, kur Enver Hoxha u tërbua nga vizita e fshehtë e Henry Kissinger-it dhe njoftimi se Presidenti amerikan Richard Nixon do të vizitonte Pekinin. Hoxha i dërgoi Mao Ce Dunit një letër-protestë prej 19 faqesh, ku e akuzonte për tradhti ndaj marksizmit. Krisja u bë e pakthyeshme kur Hoxha sulmoi hapur “Teorinë e Tre Botëve” të Maos në Kongresin e VII të PPSH-së në vitin 1976, duke e shpallur udhëheqjen kineze “revizioniste”.
Me ardhjen e pragmatikut Deng Xiaoping në pushtet, Kina vendosi t’i jepte Shqipërisë një leksion cinik. Në vend të një ndërprerjeje të menjëhershme me zhurmë, kinezët filluan të zvarritnin projektet, dërgonin makineri pa manuale përdorimi ose pjesë këmbimi që nuk përshtateshin.
Hakmarrja përfundimtare erdhi më 7 korrik 1978, kur Pekini ndërpreu zyrtarisht çdo marrëveshje tregtare dhe urdhëroi tërheqjen e menjëhershme të të gjithë specialistëve.
Largimi i tyre la pas kantiere gjysmë të pambaruara dhe një ekonomi të paralizuar, pasi vendi nuk kishte as kapacitet teknik dhe as pjesë këmbimi për t’i vënë në punë. E gjendur pa asnjë mbështetës ndërkombëtar, pasi kishte prishur marrëdhëniet me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Perëndimin, Shqipëria u zhyt në një izolim total nën slloganin “të mbështetemi në forcat tona”.
Ky izolim solli urinë, krizën e tmerrshme të viteve ’80 dhe ndërtimin e qindra mijëra bunkerëve të famshëm nga frika e një sulmi imagjinar, duke shënuar kështu fillimin e rënies së ngadaltë, por të pashmangshme, të regjimit komunist./Korrespodenti
