Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur shqetësime lidhur me situatën institucionale në Kosovë.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani”, Miftaraj tha se në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri, Kosova rrezikon të mbetet pa president, duke u përballur me një situatë të paprecedentë institucionale.
“Me 4 tetor bëhen gjashtë muaj që kemi ushtrues të detyrës së presidentit të Republikës. Më 5 tetor, Republika e Kosovës, për herë të parë në histori prej që kemi shpallur pavarësinë në vitin 2008, nuk ka me pas fare president, nëse nuk zgjidhet presidenti nga kjo legjislaturë”, deklaroi Miftaraj.
Sipas tij, mungesa e presidentit do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve të shtetit, përfshirë edhe procesin e shpalljes së zgjedhjeve.
Miftaraj e cilësoi këtë si një krizë të rëndë kushtetuese, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me një situatë jashtë kornizës aktuale kushtetuese.
“Nëse me 4 tetor të këtij viti nuk kemi president nga kjo legjislaturë, me 5 tetor pushon së ekzistuari Kushtetuta, në kuptimin që, më nuk ke president, nuk ka më zgjedhje kushtetuese, s’ka më me respektu Kushtetutën. Je jashtë Kushtetutës. Je në anarki”, u shpreh Miftaraj.
