Lista Studentore pritet të fitojë bindshëm zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke siguruar shumicën absolute në Parlament, sipas projeksionit të parë të Ipsos dhe CeSID.
Sipas rezultateve të projektuara, Lista Studentore ka fituar 52 për qind të votave, ndërsa lista e Aleksandar Vuçiqit ka marrë vetëm 39,3 për qind.
Këto të dhëna janë publikuar nga Ipsos dhe CeSID, ndërsa rezultatet janë transmetuar nga televizioni serb N1.
Sipas projeksionit, Lista Studentore pritet të sigurojë 138 mandate në Parlamentin e Serbisë, kundrejt 104 mandateve të listës së Vuçiqit.
Kjo do të thotë se studentët do ta kalonin pragun prej 126 deputetësh, të nevojshëm për formimin e qeverisë pa pasur nevojë për partnerë koalicioni.Dallimi ndërmjet dy blloqeve kryesore është 12,7 pikë përqindjeje në vota dhe 34 mandate parlamentare.
Këto rezultate, nëse konfirmohen nga numërimi zyrtar, do të shënonin një ndryshim të madh politik në Serbi, duke i dhënë fund shumicës parlamentare të bllokut të Vuçiqit.
Më herët, vetë Vuçiq pranoi publikisht humbjen zgjedhore, duke deklaruar se Lista Studentore pritej të fitonte ndërmjet 135 dhe 140 mandate.“Është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje”, kishte deklaruar ai.
Zgjedhjet e së dielës u karakterizuan nga pjesëmarrje jashtëzakonisht e lartë, e cila, sipas organizatave monitoruese, ishte dukshëm më e madhe se në vitin 2023.
Megjithatë, shifrat e Ipsos dhe CeSID mbeten projeksione të bazuara në një mostër vendvotimesh, jo rezultate përfundimtare të Komisionit Republikan Zgjedhor.
