Nga: Blerta Qosja
Të dashur të rinj shqiptarë,
Sot, teksa ju shohim në rrugët dhe sheshet e Tiranës duke protestuar për një të ardhme më të drejtë, ndërsa disa prej jush përballen me gazin lotsjellës, plumbat e gomës, shkopinj bejsbolli dhe dhunën e një pushteti që po dëshmohet çdo ditë e më shumë i pashpirt, ne, gjenerata e prindërve tuaj, duhet të mbledhim guximin për të parë veten në pasqyrë.
Përpara se t’ju këshillojmë të jeni të kujdesshëm, apo t’ju qortojmë për mënyrën se si zgjidhni të protestoni, kemi një borxh moral për të larë: duhet të pranojmë hapur se si arritëm deri këtu dhe çfarë peshe mbajmë mbi supe për këtë Shqipëri që po ju detyron të derdhni gjak në trotuaret e saj.
Prandaj, para çdo fjale tjetër, ju themi: Na falni që heshtëm!
Na falni që e këmbyem të ardhmen tuaj me interesat tona të ngushta; që votën, këtë armë të vetme të ndryshimit, e trajtuam si mall për t’u shitur në tregun e vogël të favoreve; që punësimin e pranuam si lëmoshë partiake dhe bindjen politike e bëmë çelës për një kafshatë buke, duke lejuar që meritokracia të vritej ngadalë para syve tanë.
Dikush prej nesh përfitoi drejtpërdrejt nga kjo skemë klienteliste; dikush tjetër u struk pas një servilizmi të mjerueshëm, i zënë ngushtë nga frika e listave të zeza, e patronazhistëve që numërojnë çdo lëvizje, apo e humbjes së punës. Ata pak që u mbajtën me dinjitet, u detyruan të ikin jashtë vendit. Ndërsa shumica e heshtur u mësua të bashkëjetojë me padrejtësinë, duke mbyllur sytë e duke thënë: “Hajde se kështu ka qenë gjithmonë, ç’na duhet ne?!”
Ne siguruam rehatinë tonë të përkohshme, por nuk u shqetësuam kurrë për greminën që po hapnim poshtë këmbëve tuaja. Sot, ju jeni në sheshe duke luftuar për gjëra që duhej t’i kishit pasur të garantuara që në lindje: për një punë të ndershme që vlerësohet sipas djersës e jo librezës, për një arsim që të përgatit për jetën dhe jo për mitingje, për institucione ku merita është ligji i vetëm, dhe për një vend ku emigrimi të mos jetë shpresa e fundit e mbijetesës.
E dhimbshme, madje turpëruese, është të shohësh se edhe sot, kur ju ngriheni me guxim, shumë prej nesh ende nuk guxojnë t’ju dalin në krah. Ju kërkojmë juve të jeni trima, ndërsa vetë heshtim. Kjo është përgjegjësia jonë dhe nuk mund t’ia faturojmë askujt tjetër.
Pushteti mban mbi supe barrën kryesore për vendimet dhe mënyrën se si zgjedh të trajtojë qytetarët e tij. Kur një kryeministër linçon publikisht me emër e mbiemër studentët ekselentë të mjekësisë që guxojnë të kundërshtojnë, kur merr rolin e prokurorit për të shpallur fajtorë ata që kërkojnë të drejta, apo kur dhunon të moshuar e gazetarë pse dokumentojnë të vërtetën, atëherë kufiri mes shtetit dhe arbitraritetit është shuar plotësisht.
Shteti ka detyrimin kushtetues të mbrojë qytetarin, jo ta terrorizojë atë.
Por, le të jemi të sinqertë me veten: një pushtet nuk mbahet vetëm me forcën e atij që e ushtron, por edhe me heshtjen dhe nënshtrimin e atyre që e pranojnë. Sa herë kemi mbrojtur korrupsionin haptazi vetëm se e ka bërë “partia jonë”, ne kemi ushqyer përbindëshin, sociopat që sot po ju godet.
Nëse pyesim se ku shpie kjo lloj arrogance e pushtetit dhe nënshtrim i gjatë shoqëror, historia na jep përgjigje të qarta dhe të dhimbshme.
Në dhjetor të vitit 1989, Nicolae Çaushesku sundonte Rumaninë me një dorë të hekurt, të mbështetur te censura e plotë, frika, policia sekrete dhe kontrolli absolut. Ai dukej i paprekshëm. Por kur pakënaqësia e grumbulluar e popullit, e nisur nga rinia dhe studentët në Timișoara, shpërtheu në sheshe, asnjë makineri dhune dhe asnjë polici regjimi nuk mundi ta ndalte më vullnetin e një populli që kishte vendosur të mos frikësohej më.
Brenda pak ditësh, ai sistem u shemb nga themelet.
Natyrisht, Shqipëria e sotme nuk është Rumania e ’89-s, dhe askush nuk kërkon të barazojë realitetet. Por ky precedent historik mbart dy mesazhe të mëdha:
1. Për pushtetin: Është një paralajmërim i qartë se kur pakënaqësia shoqërore shpërfillet, kur dialogu zëvendësohet me dhunë dhe kur qytetarët trajtohen si armiq, hendeku bëhet i pakapërcyeshëm dhe pasojat janë të pashmangshme.
2. Për ju, rininë: Është drita e shpresës që vërteton se asnjë perandori frike nuk është e përjetshme. Kur brezi i ri ngrihet me pastërti, çdo strukturë e kalbur korrupsioni fillon të lëkundet.
Sot, pamjet e efektivëve të policisë të rraskapitur, me njëren kepuc te ndryshme nga tjetra, me uniforma te vjetruara, te moshuar dhe te etur për dhunë, të keqpërdorur nga lart, përballë qytetarëve të tyre, na tregojnë degradimin e një shteti që tashmë është i kalbur pothuajse në çdo segment te tij.
Dëshmia më e fortë e këtyre ditëve se ky shtet është i deshtuar, është dergimi i protestuesit të lënduar në Romë për shërim sepse ne nuk ishim në gjendje ta trajtojmë ne vend. Por ne nuk mund të lejojmë që kjo tragjedi e përditshme të vazhdojë.
Të dashur të rinj,
Ne nuk mund t’jua kthejmë vitet e humbura dhe mundësitë që ju janë mohuar padrejtësisht. Por mund të bëjmë diçka thelbësore sot: të ndalojmë së bëri pengesë për të ardhmen tuaj.
Mund të refuzojmë të shesim votën, të mos heshtim kur shohim padrejtësinë ndaj tjetrit vetëm se “nuk na takon ne”, dhe të ndalojmë së justifikuari të keqen vetëm pse vjen nga ngjyra jonë politike.
Kërkimfalja e vërtetë nuk është thjesht një deklaratë letrare, por vendimi i prerë për të mos e përsëritur më gabimin. Nëse ju po kërkoni një Shqipëri ku njeriu të jetojë me ballin lart pa pasur nevojë të përgjërohet te politika, atëherë ne kemi detyrimin t’ju hapim rrugën, t’ju mbështesim dhe të mos jemi më barrë e rëndë në rrugën tuaj.
Tani është radha jonë të dëshmojmë se e kemi kuptuar gabimin dhe se dimë të flasim, jo për të qetësuar ndërgjegjen tonë, por për t’ju dhënë juve vendin që meritoni.
