Nga: Atdhe Gjoci
Pse e kemi kaq të vështirë ta pranojmë një fakt që bie ndesh me bindjet tona? Sepse shpesh nuk i gjykojmë ngjarjet vetëm sipas asaj që ka ndodhur, por edhe sipas asaj që dëshirojmë të jetë e vërtetë dhe se kush qëndron pas atij veprimi.
Kjo lidhet me paragjykimin e konfirmimit: Prirjen për të pranuar më lehtë informacionin që përputhet me bindjet tona dhe për ta vënë në dyshim atë që i kundërshton. Ndërsa arsyetimi i motivuar na shtyn të gjejmë argumente për të mbrojtur përfundimin që tashmë duam ta besojmë.
Në politikë, kjo dukuri shihet qartë.
Mjafton të marrim si shembull shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri.
Për disa, ky është ushtrim i sovranitetit; për të tjerë, mënyra e veprimit, koordinimi ose mungesa e koordinimit me aleatët dhe pasojat e mundshme përbëjnë arsye për kritikë.
Këto dallime mund të jenë legjitime.
Por le ta shtrojmë një pyetje: A do ta gjykonim të njëjtin veprim me të njëjtat kritere sikur ta bënte partia së cilës i përkasim?
Një shembull tjetër është demarkacioni me Malin e Zi. Çështja u paraqit për një kohë si rrezik për humbjen e territorit, nxiti protesta dhe përplasje politike, përpara se marrëveshja të ratifikohej në Kuvend. Pas ratifikimit, qëndrimet dhe interpretimet politike u ndryshuan edhe brenda kampit që më parë e kundërshtonte marrëveshjen. Për ata që e votuan, qëndrimi i ri u shoqërua me argumente për ta justifikuar, ndërsa të tjerë vazhduan ta interpretonin çështjen sipas bindjeve të tyre të mëparshme. Ratifikimi nuk i zgjidhi vetvetiu të gjitha debatet mbi argumentet e palëve. Por rasti ngre një pyetje të rëndësishme: Kur një çështje shpallet vijë e kuqe kombëtare, çfarë ndodh me argumentet dhe bindjet tona kur realiteti politik ndryshon?
Problemi nuk është të ndryshosh mendim. Ndryshimi mund të jetë shenjë pjekurie kur mbështetet në fakte të reja dhe argumente të forta. Problemi lind kur ndryshimi nuk vjen sepse ndryshuan faktet, por sepse ndryshoi interesi politik ose qëndrimi i subjektit që mbështesim dhe, bashkë me të, edhe mendimi i një pjese të mbështetësve të tij.
Për ta paraqitur këtë ide në mënyrë metaforike, mund të propozojmë një formulë:
Mendimi kritik = Faktet × Gatishmëria për vetëkorrigjim ÷ (Fanatizmi + Frika + Interesi personal)
Kjo nuk është formulë shkencore, por një model filozofik që na kujton se faktet nuk mjaftojnë nëse nuk jemi të gatshëm t’i shqyrtojmë pa paragjykime. Edhe një njeri inteligjent mund ta përdorë arsyen jo për të zbuluar të vërtetën, por për të mbrojtur bindjen e vet.
Prandaj, testi i vërtetë i mendimit kritik nuk është sa bindshëm i kritikojmë kundërshtarët, por sa të gatshëm jemi t’i zbatojmë të njëjtat kritere ndaj vetes, kundërshtarit dhe grupit që mbështesim.
Në fund, pyetja është e thjeshtë: a i ndryshojmë bindjet sepse ndryshojnë faktet, apo i interpretojmë faktet ndryshe që të mos na duhet t’i ndryshojmë bindjet?
