Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për rehabilitimin e rrugës rajonale R102, në segmentin Skënderaj – Klinë e Epërme.
Sipas ministrit Basha, projekti përfshin rehabilitimin e një segmenti rrugor me gjatësi prej 1.8 kilometrash, ndërsa vlera e investimit arrin në 751,570.95 euro.
Basha ka theksuar se dëmtimet e kësaj rruge kanë shkaktuar prej kohësh vështirësi për banorët e zonës, duke shtuar se që nga marrja e detyrës është angazhuar për adresimin e këtij problemi.
“Dëmtimet e kësaj rruge kanë shkaktuar prej kohësh vështirësi për banorët, dhe që nga marrja e detyrës si ministër jam angazhuar që të adresojmë këtë problem dhe t’i hapim rrugë rehabilitimit të këtij segmenti”, ka deklaruar Basha.
Ai ka bërë të ditur se përmes këtij investimi synohet rritja e sigurisë në trafik dhe përmirësimi i kushteve të qarkullimit për qytetarët.
Afati i realizimit të projektit është vetëm 35 ditë kalendarike, ndërsa ministri ka premtuar angazhim maksimal që punimet të zhvillohen me intensitet dhe cilësi, në përputhje me afatin e kontraktuar.
“Vazhdojmë me investime konkrete, duke adresuar problemet dhe duke përmirësuar infrastrukturën rrugore në çdo komunë të Kosovës”, ka përfunduar ministri Basha.
