Nga: Atdhe Gjoci
Kryeministër, protesta nuk lindi brenda natës.
Për më shumë se 100 ditë, qytetarët paralajmëruan se pakënaqësia po rritej, ndërsa ju zgjodhët t’i përqeshnit, t’i banalizonit dhe t’i bullizonit ata dhe shqetësimet e tyre. Tani, kur zemërimi ka shpërthyer në rrugë, nuk mjafton të flasim për katër ditët e fundit. Duhet të flasim edhe për shkaqet që e sollën Shqipërinë deri këtu.
Duhet të zgjoheshe pa lindur dielli, siç bën sot për dëmet e shkaktuara nga protesta, dhe të flisje edhe për Arben Ahmetajn, Saimir Tahirin, Lefter Kokën, Ilir Beqajn, Alqi Bllakon, si dhe për të gjithë zyrtarët e tjerë të përfshirë në skandalet që kanë shoqëruar qeverisjen tënde. Duhet të flisje edhe për rastin e Vlorës Hysenit, të cilën e more nga Kosova dhe e emërove në krye të një prej institucioneve më të ndjeshme të shtetit shqiptar.
Në vitin 1974, Willy Brandt dha dorëheqjen pasi bashkëpunëtori i tij i afërt, Günter Guillaume, u zbulua si spiun i Gjermanisë Lindore. Po atë vit, presidenti amerikan Richard Nixon dha dorëheqjen pas skandalit Watergate, kur abuzimi me pushtetin e çoi drejt një procesi shkarkimi. Ti, kryeministër, përkundrazi, nuk ke dhënë dorëheqjen për asnjë nga skandalet që kanë shoqëruar qeverisjen tënde.
Edhe sa emra të tjerë, kryeministër, të duhen që të reflektosh?
Fundja, kryeministër, të gjitha dëmet e shkaktuara gjatë këtyre katër ditëve do t’i mbulonte vetëm hajnia e Belinda Ballukut, dhe do të ngelnin edhe shumë lekë për kusur.
Kjo nuk është përpjekje për të justifikuar dhunën.
Dhuna e protestuesve dhe shkatërrimi i pronës janë të papranueshme, ashtu siç është i papranueshëm përdorimi i paligjshëm ose joproporcional i forcës nga policia ndaj studentëve. Por dënimi i dhunës nuk mund të shërbejë si mënyrë për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë për shkaqet e pakënaqësisë.
Largohu dhe lërja Shqipërisë të paktën ato të mira që ke bërë gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet, sepse Shqipëria vlen më shumë se ti dhe më shumë se ne.
Rënia e regjimit komunist, viti 1997 dhe 21 janari duhet të na kenë mësuar se krizat politike mund të kenë pasoja të rënda. Në këto momente, edhe presidenti duhet të mbajë një qëndrim të qartë, në kohën e duhur dhe mbi palët, në mënyrë që të ndihmojë në uljen e tensioneve, jo në thellimin e mosbesimit.
Kryeministër, burrështetasit e mëdhenj si Willy Brandt dhe Richard Nixon e kuptuan se posti nuk është më i rëndësishëm se përgjegjësia ndaj vendit. Ata dhanë dorëheqjen, secili në rrethana të ndryshme, sepse të jesh burrështetas do të thotë të dish edhe kur duhet të largohesh. Bëhu burrështetas edhe ti, kryeministër, dhe ik!
P.S. Kur korrupsioni, hendeku mes klasave, vështirësitë ekonomike dhe jeta gjithnjë e më e rëndë po i nxjerrin njerëzit në rrugë në mbarë botën, a mos po bëhemi dëshmitarë të fillimit të një rendi të ri botëror?
