Pas katër ditësh protestash në Shqipëri, Rama në terren, premton dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara

Pas katër ditësh protestash në Shqipëri, Rama në terren, premton dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara.
Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se dhjetë grupe nga administrata tatimore do të dalin në terren për të verifikuar dëmet e shkaktuara.

Pas katër ditësh protestash në Shqipëri, Rama në terren, premton dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara
Foto: Nacionale
Pas katër ditësh protestash të dhunshme në Shqipëri, gjatë të cilave u sulmuan institucione shtetërore dhe u dëmtuan prona, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dëmshpërblimin e bizneseve të vogla.

Rama ka prezantuar sot një shërbim të ri në platformën shtetërore E-Albania, të quajtur “Dëmi im”, përmes të cilit bizneset do të mund të deklarojnë dëmet e pësuara.

Ky vendim vjen pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë, të cilat u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe policisë.

Gjatë protestave u raportua për sulme ndaj ndërtesave qeveritare, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme, si dhe për zjarrvënie e dëmtim pronash.

Në një video të publikuar në Facebook, Rama ka shpjeguar procedurat që duhet të ndjekin bizneset për të kërkuar kompensimin e dëmeve.

“Prej ditës së sotme çdo biznes i vogël që është dëmtuar nga vala e dhunës qorre, do të ketë një dritare në E-Albania, ku do të mund të regjistrojë dëmin”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, bizneset duhet të paraqesin të dhënat identifikuese, numrin e NIPT-it, vlerësimin paraprak të dëmit dhe dokumentacionin përkatës, përfshirë fotografitë.

Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se dhjetë grupe nga administrata tatimore do të dalin në terren për të verifikuar dëmet e shkaktuara.

Pas përfundimit të verifikimeve, autoritetet do të hartojnë një regjistër të dëmeve, mbi bazën e të cilit është paralajmëruar mbështetja për bizneset e prekura.

Rama i ka cilësuar veprimet e dhunshme gjatë protestave si shkatërrimtare, duke premtuar rikuperimin e dëmeve.

“Do t’i kthejmë këto gërmadha verbërie në shëmbëlltyra të forcës sonë për të ecur përpara”, ka thënë ai.

Megjithatë, kryeministri nuk ka bërë të ditur shumën e përgjithshme që do të ndahet për dëmshpërblime, as afatet e pagesave për bizneset e dëmtuara.

Dita e katërt

Protestat në Shqipëri vazhduan edhe mbrëmjen e së premtes, më 16 tetor, duke shënuar ditën e katërt të mobilizimit, mes përplasjeve të protestuesve me forcat e rendit.

Gjatë protestës në Tiranë, protestuesit hodhën gurë dhe sende të forta drejt policisë, ndërsa kjo e fundit ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Përplasjet vazhduan për disa orë, ndërsa tensionet nisën të uleshin gjatë mbrëmjes, kur një pjesë e protestuesve u grumbulluan pranë Kryeministrisë.

Në një moment, disa protestues iu afruan efektivëve të policisë, duke u ofruar ujë dhe përqafime, pas përplasjeve të mëhershme.

Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë, deri në orën 18:45 ishin regjistruar 11 të lënduar: gjashtë protestues, tre policë dhe dy kalimtarë të rastit.

Mes protestuesve të lënduar raportohej se ishin edhe tre të mitur.

Protesta e së premtes pasoi tri ditë trazirash në kryeqytetin shqiptar, gjatë të cilave ishin sulmuar institucione shtetërore, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme.

Gjatë protestave të mëhershme ishin raportuar gjithashtu zjarrvënie, dëmtime të pronave publike e private dhe arrestime të shumta.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME