Tirana 6 orë mes kaosit dhe përplasjeve, Rama i vendosur të mbajë karrigen me forcë

Tirana ka përjetuar një tjetër pasdite kaotike këtë të shtunë, 24 tetor. Për afro gjashtë orë, kryeqyteti është përfshirë nga përplasje mes protestuesve dhe policisë, gaz lotsjellës, ujë me presion, fishekzjarrë dhe zjarre në kazanët e mbeturinave.

Pas tri-katër ditësh gjatë të cilave protestat kishin vijuar me tensione më të ulëta, situata u përshkallëzua sërish. Në ditën e 12-të të mobilizimit studentor, protesta mori përmasa kombëtare, me pjesëmarrjen e një numri të madh qytetarësh që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjithçka nisi pranë Ministrisë së Arsimit, ku u grumbulluan protestuesit, përpara se turma të zhvendosej drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Qytetarët mbushën hapësirën nga Kryeministria deri në drejtim të Ministrisë së Brendshme, ndërsa përballë tyre ishin vendosur forca të shumta policore.

Përplasjet nisën me ndërhyrjen e policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës. Gjatë tensioneve pati edhe hedhje gurësh në drejtim të efektivëve.

Por ndërhyrjet nuk e ndalën protestën. Qytetarët u rigrupuan dhe vijuan marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit.

Nga bulevardi, turma u zhvendos drejt sheshit “Skënderbej”, ku policia ndërhyri sërish me gaz lotsjellës. Më pas, protestuesit marshuan drejt Ushtarit të Panjohur dhe zonës së 9-katësheve.

Pavarësisht orëve të gjata të tensioneve, pjesëmarrja mbeti e lartë. Turma vijoi të mbushte rrugët e Tiranës, ndërsa trafiku u rëndua ndjeshëm në disa akse.

Protestuesit u kthyen më vonë drejt qendrës, duke kaluar te dalja e Rrugës së Durrësit, në drejtim të selisë së Partisë Socialiste. Aty u përballën me një tjetër kordon policor.

Fishekzjarrët e hedhur nga protestuesit dhe gazi lotsjellës i përdorur nga policia krijuan një tjetër situatë të tensionuar, duke mbuluar zonën me tym të dendur.

Më pas, forca të shumta policore ndërhynë në rrugën “Mine Peza”, ndërsa protestuesit u shpërndanë në rrugicat përreth. Tensionet u zhvendosën edhe pranë stadiumit “Dinamo”, ku policia ndërhyri dhe shoqëroi disa persona.

Gjatë protestës u plagos në sy edhe një i ri, i cili dyshohet se është goditur nga një plumb gome. Ai u transportua në Spitalin e Traumës për trajtim mjekësor.

Pas afro gjashtë orësh, turma nisi të shpërndahej gradualisht nëpër rrugët dhe lagjet e kryeqytetit. Situata u qetësua, ndërsa policia nisi shoqërimet e protestuesve.

Por ajo që mbetet nga kjo e shtunë është përplasja e fortë mes revoltës qytetare dhe vendosmërisë së Edi Ramës për të mos lëshuar pushtetin.

Kryeministri vazhdon të flasë për dialog, ndërsa qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e tij janë përballur për orë të tëra me gaz lotsjellës, ujëhedhëse dhe ndërhyrje policore.

Në vend të një zgjidhjeje politike për krizën e krijuar, kryeqyteti pa për afro gjashtë orë gaz, ujëhedhëse dhe forca policore që ndërhynin në një zonë pas tjetrës.

Rama e di se zgjidhja e kësaj situate është vetëm politike. Sot është dita e 12-të e protestës dhe Tirana nuk mund të vijojë të digjet çdo ditë. Rruga më e lehtë është largimi i kryeministrit dhe gjithçka merr fund. /Pamfleti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME