Fjala e Poetit Lulzim Tafa në Parlamentin e Paraguait

Fjala e Poetit Lulzim Tafa në Parlamentin e Paraguait:

I nderuar Kryetar i Parlamentit, z. Raul Luis Latorre Martinez

I nderuar Zëvendëspresident, z. Hugo Joel Meza

Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve të Paraguait,

I nderuar z. Peter Tase,

Të nderuar miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azerbajxhani dhe vende të tjera,

Zonja dhe zotërinj,

Ju faleminderit për këtë nderim dhe për këtë mundësi që po më jepni për t’ju drejtuar sot, këtu, në këtë sallë, ku ju bëni shumë punë të mira për qytetarët tuaj.
Faleminderit që jeni këtu për të dëgjuar mesazhet e një shkrimtari.
Paraguain dhe gjithë kontinentin tuaj unë i kam njohur shumë herët, përmes letërsisë suaj të fuqishme, përmes shkrimtarëve tuaj. Letërsia juaj, ashtu si e gjithë letërsia e Amerikës Latine, përbën një nga traditat më të fuqishme dhe më me ndikim të letërsisë botërore. Realizmi magjik i kësaj letërsie më ka bërë shumë herët për vete. Në veprat e shumë autorëve latino-amerikanë, e zakonshmja dhe e jashtëzakonshmja bashkëjetojnë natyrshëm. Ngjarjet fantastike nuk paraqiten si të çuditshme, por si pjesë normale e jetës. Sepse, në fund të fundit, është detyrë e letërsisë që të zakonshmen ta bëjë të duket e pazakonshme e të pazakonshmen ta shndërrojë në të zakonshme.
Si poet, edhe romanin e lexoj si poezi, prandaj e adhuroj dimensionin poetik të prozës suaj, ajo, edhe pse është prozë, duket si poezi. Për mendimin tim, kjo është një veçori e rrallë e letërsisë suaj, sepse edhe romanet kanë shpesh një gjuhë shumë lirike, me metafora të dendura, ritëm poetik dhe ndjeshmëri të fortë filozofike. Prandaj letërsia juaj është kaq e dashur për lexuesit në kontinentin tonë evropian.

Zonja dhe zotërinj,

Poezi kam filluar të shkruaj si fëmijë, jam rritur me poezinë dhe po plakem me të. Unë gjithmonë i kam qëndruar besnik poezisë. Në jetë kam bërë edhe punë të tjera, qoftë si profesor, qoftë në pozita menaxheriale, siç është edhe pozita e rektorit, por jam angazhuar edhe në aktivitete në fushën e të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së kafshëve. Megjithatë, duhet ta theksoj se, edhe kur kam vepruar në fusha të tjera, gjatë gjithë jetës sime kam frymuar si poet. Jam ndier poet dhe vazhdoj të jetoj si i tillë.
Vendi im, para pak vitesh, ka dalë nga një luftë e përgjakshme. Unë edhe atëherë kam qenë poet, kam shkruar për lirinë dhe paqen.
Një ditë, një konvoj militarësh erdhi dhe dogji shtëpinë time. Më dogjën bibliotekën, librat, dorëshkrimet, fotografitë dhe kujtimet. Secili prej jush e di ç’do të thotë për një poet t’i digjen dorëshkrimet dhe librat. Unë shkruaja për lirinë. Ata që m’i dogjën librat, një ditë ikën nga vendi im, ndërsa unë vazhdova të shkruaja përsëri për lirinë dhe paqen. Këtë e bëj edhe sot.
Vendi im dhe vendi juaj janë mijëra kilometra larg, por largësia është vetëm një fakt gjeografik, afërsia është një zgjedhje e shpirtit. Dy popujt tanë kanë nevojë të njihen më shumë. Le t’i bashkojmë gjuhët, librat, muzikën, universitetet dhe ëndrrat tona. Detet dhe oqeanet nuk janë pengesa për kulturën, por rrugë që presin të përshkohen. Miqësia ndërmjet kombeve është vepra më e bukur që mund të shkruhet nga njerëzit.
Neve nuk na ndan historia, na ndan vetëm largësia. Dhe largësia është më e vogël se një libër i përkthyer, një dorë e shtrirë apo një bashkëpunim. Le ta bëjmë kulturën urën që gjeografia nuk arriti ta ndërtojë. Është detyra jonë që ta lehtësojmë këtë bashkëpunim.
Letërsia mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në afrimin e dy kombeve që janë gjeografikisht të largëta, sepse ajo krijon afërsi shpirtërore aty ku mungon afërsia fizike. Roli i saj nuk është vetëm të tregojë histori, por edhe të ndërtojë ura mirëkuptimi, imagjinate dhe respekti të ndërsjellë. Përkthimet, festivalet letrare, botimet e përbashkëta dhe takimet ndërmjet shkrimtarëve krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme kulturore. Në këtë kuptim, letërsia bëhet një formë e diplomacisë shpirtërore.
Pra, le t’i heqim të gjitha barrierat. Këto mesazhe unë i them kudo që më jepet rasti, ngase popujt nuk afrohen vetëm sepse kanë të njëjtën histori, ata afrohen edhe sepse arrijnë ta kuptojnë dhimbjen e njëri-tjetrit. Paraguai e njeh mirë dhimbjen e luftës, humbjen dhe sakrificën. Edhe ne e dimë se çfarë do të thotë të vuash dhe të mbijetosh.
Unë besoj në fuqinë e poezisë. Gjatë jetës sime si krijues kam pranuar shumë nderime dhe dekorata, ndërsa nderime kam marrë edhe nga Ukraina. Atje më kanë nderuar Akademia, Patriarku i Shenjtë, si dhe organizatat e shkrimtarëve. Ata më nderuan sepse unë u mundova që, përmes poezisë, ta ndalja atë luftë ende pa filluar. Mund ta merrni me mend se deri ku shkon imagjinata e poetit. Poeti asnjëherë nuk ka problem me imagjinatën, poeti ka problem me realitetin, e ky realitet nuk është ai që ne do të dëshironim.

Zonja dhe zotërinj,

Ky nderim më frymëzon për ta vazhduar punën time krijuese. Si poet, do të mundohem që, me vargjet e mia, t’u shërbej lexuesve dhe t’u ofroj kënaqësi shpirtërore, kurse si jurist, profesor dhe menaxher, do të punoj që planetin tonë ta bëjmë më të jetueshëm, sepse kemi detyrim ndaj brezave që po vijnë. Të kujdesemi që të hartojmë ligje sa më të mira, jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët, shpezët, ekosistemin, pra për të gjitha krijesat e Zotit në këtë planet.

Viva la Poesia

Ju faleminderit!

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME