“Edhe më keq se pijaneci, po dehet pa pirë raki”, Kimete Berisha me reagim të ashpër ndaj hoxhës Shefqet Krasniqi

Gazetarja Kimete Berisha i ka bërë thirrje hoxhës Shefqet Krasniqi që të kërkojë publikisht falje lidhur me komentet denigruese ndaj këngëtares Shkurte Fejza.

Këngëtarja ikonike e muzikës folklorike u kritikua nga imami Krasniqi për shkak të fesë. Krasniqi tha se këngëtarja Fejza nuk është aq e përkushtuar sa duhet ndaj fesë.

Gjatë komenteve të bëra në një intervistë të dielën në televizionin Tëvë1, hoxha Shefqet Krasniqi konkludoi se Fejza “ka me vdekë si unë, edhe hiç larg se ka”.

Deklaratat e hoxhës i ka cilësuar të pamatura dhe kërcënuese gazetarja Kimete Berisha.

Të hënën, në një shkrim të relativisht të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Berisha apeloi te imami nga Obiliqi që t’i kërkojë faje publike këngëtares.

“Edhe më keq se pijaneci, Shefqet Krasniqi po dehet, pa pirë raki. Nuk e kisha besuar se bëhet me mendt e një gazetareje sherr-budallaqe”, shkroi gazetarja. “Nuk është e moralshme t’i analizosh gratë e huaja, ose edhe mund t’i analizosh gratë e huaja sipas preferencave t’ua, ama tek pasi që publikisht ia zbulon të metat shoqes tënde”.

Ajo tha se hoxha e ka kërcënuar me vdekje këngëtaren Fejza.

“Hoxha e ka kërcënuar Shkurte Fejzën ‘me vdekje’, se kur i thua dikujt ‘nuk e ke vdekjen larg’, është kërcënim, po çka është…”, shkroi ajo.

Komentet e hoxhës Krasniqi, të cilën shkaktuan jo pak reagime në rrjetet sociale, përfshinë edhe një këshillë të tij për Shkurte Fejzën që të jetë më e përkushtuar rreth fesë.

“Shkurta në përgjithësi tekstet i ka të mira, e mua më dhimbset qëkjo Shkurta shumë se duket me kanë një grua e mirë, që nuk është edhe fetare aq sa duhet, ndoshta një ramazan e ka, por pak është. Do të doja shumë që Shkurta si një figurë shumë e njohur e kombit tonë, me qenë edhe fetare sepse edhe Shkurta ka me vdekë si unë, edhe hiç larg se ka se i ka bë do vjet të mira, e kur të vdes pastaj fama nuk të kryen punë oj motër, leku nuk të kryen punë, asgjë pos veprave të mira”, tha Krasniqi.

Reagimi i plotë i saj:

Imami që e ka privatizuar ahiretin dhe tregtia me trishtimin!

1. Kam kujtuar se është i mençur.

Edhe më keq se pijaneci, Shefqet Krasniqi po dehet, pa pirë raki.

Nuk e kisha besuar se bëhet me mendt e një gazetareje sherr-budallaqe.

– Nuk është e moralshme t’i analizosh gratë e huaja, ose edhe mund t’i analizosh gratë e huaja sipas preferencave t’ua, ama tek pasi që publikisht ia zbulon të metat shoqes tënde.

Jetën tënde ta mbash sekret e në anën tjetër të përndjekësh gra të huaja që i urren veç pse të pëlqejnë, s’është mirë…

– Hoxha e ka kërcënuar Shkurte Fejzën ‘me vdekje’.

Se kur i thua dikujt ‘nuk e ke vdekjen larg’, është kërcënim, po çka është…

Shefqet Krasniqi gjithmonë sillet sikur e ka privatizuar botën tjetër dhe drejtësinë hyjnore,
thuajse ahireti është OJQ e tij,

e grave që nuk i janë nënshtruar thirrjes së tij për të shkuar pas tij në xhenet..
si pronar i ahiretit, ua jep këtë mesazh:

– Hajt, se t’kallzoj unë ty sa të zë në atë dynjanë tjetër, e sheh ti…
(Imami ka shije të hollë, i pëlqen gratë e forta, si unë për shembull, ama mua aman mos më ngacmoni se jam tejet romantike)

– Imami dhe TV duhet të kërkojnë falje publike, Shkurta është e madhe dhe duhet t’ua fal.
Video duhet të ‘zhduket’.

– Paramendojeni sikur një imam i njohur të thotë për ju publikisht se nuk e keni vdekjen larg.
Është diçka sugjestive në këtë ‘parashikim’, diçka e frikshme dhe misterioze!

– Si do të ndjeheshit ju?
Si ndjehen ata që janë në
prag të vdekjes?

Çfarë duhet të mendojnë prindërit për fëmijët e tyre që vdesin…
Sipas imamit, vdekja është hakmarrje e Zotit, a çka është!

Pse ti flet pa pushim kur e di se fjala e tepërt është mëkat!

2. Ku është njëfarë Flutura që i mbron gazetarët nga populli!

Pse ajo kurrë nuk e mbron popullin nga gazetarët!
Ia zbuluan njeriut fytyrën që vdiq për punë të vetat në një motel dhe gazetarët ia turpëruan familjen, plus e përfshinë krejt ushtrinë e UÇK-së në punët private të një njeriu –
e Flutura askund…

Tash një gazetare kërkon opinione nga hoxha për këngëtaret, duke e ditur se hoxha është kundër këngës, edhe të
zogjve…e Fluturës s’i dëgjohet zëri.

Për Fluturën njerëz janë veç
gazetarët.
– E viktimat e gazetarëve, çka janë ata ?!

3. Një aktore, Xhejlane Tërbunja, e drejtonte një emision dhe e quante aktorin Bislim Muçaj: axhi Bislim.
Paramendoje sikur Al Pacino ta quante Marlon Brandon ‘Axhi Marlon’.
Ose, Taylor Swift kur e mori çmimin Grammy nga Celine Dion, ta quante kolegen e saj ‘Tezja Celine’.

– Qe, çfarë primitivësh shqiptarë e quajnë veten aktorë, e ende me shprehje të odave.
Edhe në Institucione, veç 1 vit me qenë më i moshuar se tjetri, sidomos meshkujt e quajnë njëri-tjetrin ‘Bac’.

4. Konkurencë e madhe se kush ka përjetuar ngjarje më të dhimbshme se tjetri.
Nëse nuk të ka ndodhur diçka e tmerrshme, nuk mund të jesh interesant.
Prandaj, zonja M. tregoi se si e kanë rrëmbyer disa burra në një mal, por në momentin e fundit e kanë shpëtuar ushtria.

– E çka duhet të bëjmë tash ne: të na dhimbset që e kanë rrëmbyer, të gëzohemi që ka shpëtuar apo ta adhurojmë për guximin që ka treguar për ta zbuluar budallallëkun.
– Ama, kur hiperprodhohet tragjedia nëpër media, bëhet qesharake, siç janë bërë sharlatanë e qesharakë të gjithë pa përjashtim!
– Punë e madhe që ke vuajtur ti!

5. Edhe aktori Enver Petrovci kish hequr keq.
Ish detyruar të bëhej zhigolo për bukë të gojës.

– T’i tregosh popullit më të varfër në Evropë që ke hequr keq për bukë, nuk ke thënë gjë.
Dhe aktori ish hidhëruar nga ata që i ka ndihmuar shumë, sepse nuk ia kanë kthyer të mirën, por e kanë lënë vetëm.
Gjynah, t’ua tregosh këtyre njerëzve ‘të vegjël’, dhimbjen tënde të madhe!

– Bëhu thí, duaje veten, mos lë shibël të bie mbi ty, mos trego gjë, se ‘Asaj që i dhimbsesh nuk e ke’.

6. Pasi që jemi tek vetmia e thellë…
B. Haxhiu ka konstatuar se Albin Kurti nuk e ka asnjë mik.
– I ka, por i mban sekret.
Si unë.

Nëse Albini nuk e ka asnjë mik, më ka mua, se unë gjithmonë bëhem me vetmitarët.

7. Qe dy herë Përparim Rama po e ‘shet’ si ekskluzivitet ‘shamjen e tij të preferuar’. Shih me çka merret ky, nuk heq se nuk heq dorë nga bërllogu.
– Tash ne duhet të gëzohemi që kryetari ynë di të shaj, a çka duhet të bëjmë ne tash…
Të mahnitemi që edhe ky si ne qenka i tokës….
Obobo!

8. Guxim është, jo të zbulosh vuajtjet e t’ua, të qurravesh e dëshpërimisht të kërkosh simpatinë e publikut.

Ta blesh famën duke e shitur në media trishtimin tënd!

Ajo famë është vet trishtimi, prandaj s’bëhesh rehat kurrë.
Se, trishtimin duhet ta luftosh, ta zhdukësh, e jo ta jetësosh e ta riprodhosh në media.
Guxim është të çohesh kundër padrejtësive.
Ai që guxon nuk ndjehet i guximshëm.

– Një ditë, e vëren se rebelimi yt nuk varet prej teje.

Thjesht, në mënyrë të natyrshme rebelohesh, e edhe nëse do të mbushesh mend, të shikosh punën tënde e të mos e rrezikosh veten, nuk mund të ndalesh.
S’di çfarë ndodh ndërkohë, por e di se guximi yt nuk varet nga mençuria jote:

– Ti e di se e rrezikon veten, ti e do jetën tënde, të dhimbset vetja, shumë, shpeshherë qan tinëz, por sikur e ke fat të pashmangshëm të bësh me gisht kah padrejtësia.
Varesh nga liria aq shumë, sa asgjë më nuk varet prej teje…
është e papërshkrueshme!

9. Hair ishalla, dy herë në shkrim e paskam përmendur shprehjen ‘zhdukje’!

P.S. Ganimete Musliu 🙏

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here