Bulevardi u mbush plot me protestues nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora. Simbolika të forta, thirrje kundër kastës politike dhe një marshim që zgjati për orë të tëra në rrugët e kryeqytetit.
Dita e 35-të e protestës shënoi mobilizimin qytetar të jashtëzakonshëm. Mijëra protestues nga Tirana, rrethet dhe diaspora iu bashkuan protestës kombëtare, duke mbushur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në një tubim që u shndërrua në demonstrimin më të madh të zhvilluar deri më tani.
Pamjet ajrore treguan sheshin para Kryeministrisë të mbushur plot me qytetarë, ndërsa kolona e protestuesve shtrihej deri në zonën e ish-Hotel Dajtit. Në bulevard dominuan flamujt kuqezi, por edhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në ditën kur u shënua 250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së.
Ajo që nisi 35 ditë më parë si një protestë kundër projektit në Zvërnec, tashmë është shndërruar në një lëvizje të gjerë kundër kastës politike. Këtë e treguan edhe thirrjet që dominuan gjatë gjithë tubimit: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Shqipëri e re”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Ju erdhi fundi”.
Një nga kërkesat kryesore të protestuesve ishte edhe lirimi i qytetarëve të arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë protestës së së enjtes para Kuvendit. Thirrja “Lironi çunat” u dëgjua vazhdimisht gjatë gjithë tubimit.
Protesta u shoqërua edhe me një sërë simbolikash. Me rastin e ditëlindjes së kryeministrit Edi Rama, protestuesit sollën një tortë ku shkruhej: “Populli të uron! Jepe dorëheqjen, merr dhe Saliun me vete.”
Po ashtu u shfaq një arkivol, të cilin protestuesit e cilësuan si “arkivoli politik i Ramës”, ndërsa më vonë sollën edhe një bust që, sipas tyre, përfaqësonte kryeministrin. Busti u rrëzua simbolikisht mes brohoritjeve të turmës dhe u cilësua nga protestuesit si “busti i fundit i diktaturës”, në një paralelizëm me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës.
Nga podiumi, organizatorët përsëritën se protesta nuk do të devijojë nga karakteri i saj paqësor, pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit. Ata deklaruan se distancohen nga çdo tentativë për provokime apo akte dhune, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit në mënyrë paqësore.
Pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë, protesta nuk u shpërnda. Mijëra qytetarë nisën marshimin drejt Komisariatit nr. 3, ku mbahen disa nga protestuesit e arrestuar. Para godinës së policisë u dëgjuan sërish thirrjet “Lironi çunat”, ndërsa turma mbushi të gjithë segmentin e rrugës, me kolonën e protestuesve që shtrihej deri në qendër të Tiranës.
Edhe pas ndalesës para komisariatit, qytetarët vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke zbritur drejt Zogut të Zi. Përgjatë gjithë itinerarit, rrugët e Tiranës oshëtinë nga brohoritjet “Rama ik”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”, duke e kthyer kryeqytetin në skenën e protestës më të madhe të zhvilluar gjatë këtyre 35 ditëve.
Me pjesëmarrjen masive dhe marshimin që përshkoi disa nga akset kryesore të Tiranës, protesta e sotme shënoi një tjetër etapë të kësaj lëvizjeje qytetare, e cila tashmë ka kaluar nga një kauzë lokale në një revoltë të gjerë kundër klasës politike, me kërkesën për ndryshim dhe largimin e qeverisë.
