Qeveria shqiptare ka paralajmëru heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve, që mund ta lirojë litrin për rreth 32 lekë.
Një prej taksave që prej vitesh e ka rënduar çmimin e karburanteve në Shqipëri do të largohet nga pompat. Por detyrimi do të zhvendoset te pronarët e automjeteve.
Çmimi i naftës në Shqipëri pritet të pësojë një ulje të konsiderueshme gjatë vitit 2027, pas një ndryshimi të rëndësishëm fiskal të njoftuar të mërkurën nga kryeministri Edi Rama.
Qeveria shqiptare ka paralajmëruar heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për çdo litër naftë dhe benzinë, e cila, së bashku me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ndikon aktualisht në çmimin përfundimtar me 32,4 lekë për litër.
Kjo do të thotë se, nëse masa miratohet dhe zbatohet plotësisht në treg, një litër naftë mund të kushtojë rreth 32 lekë më pak vetëm për shkak të ndryshimit të taksimit, pa llogaritur lëvizjet e mundshme të çmimeve ndërkombëtare.
Për shembull, nëse një litër naftë kushton 210 lekë, heqja e kësaj takse do ta zbriste teorikisht çmimin në rreth 178 lekë, duke supozuar se TVSH-ja dhe të gjithë faktorët e tjerë mbeten të pandryshuar.
Pse nafta në Shqipëri ka qenë kaq e shtrenjtë?
Shqipëria prej vitesh është përballur me çmime të larta të karburanteve në krahasim me disa prej vendeve të rajonit.
Një prej arsyeve është mënyra e taksimit.
Përveç akcizës, që në nivelin e plotë është rreth 39,4 lekë për litër, mbi naftën aplikohet edhe taksa e qarkullimit prej 27 lekësh dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.Mbi vlerën që përfshin këto detyrime llogaritet edhe TVSH-ja.
Taksa e qarkullimit u vendos mbi karburantet në vitin 2011, fillimisht në masën 5 lekë për litër. Ajo u rrit gradualisht, derisa në vitin 2015 arriti në 27 lekë për litër.
Çfarë do të ndodhë me taksën?
Megjithatë, ndryshimi i njoftuar nuk nënkupton eliminimin e plotë të detyrimit.
Kryeministri Rama ka bërë të ditur se taksa e qarkullimit do të zhvendoset nga çmimi i karburantit te automjetet dhe do të mblidhet përmes strukturave të transportit rrugor.
Kjo nënkupton se qytetarët do ta paguajnë atë në një formë tjetër, por ende nuk është bërë e ditur se sa do të jetë detyrimi për secilin automjet.
Qeveria ka paralajmëruar gjithashtu vendosjen e një takse qarkullimi për automjetet me targa të huaja që hyjnë në Shqipëri.
Për drejtuesit që konsumojnë shumë karburant, si transportuesit dhe operatorët e tjerë ekonomikë, ulja e çmimit në pompë mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në shpenzimet e përditshme.
Për një konsum prej 1.000 litrave në vit, ulja teorike prej 32,4 lekësh për litër përfaqëson 32.400 lekë më pak shpenzime për karburant, përpara llogaritjes së taksës së re të automjetit.
Megjithatë, kursimi përfundimtar do të varet nga niveli i taksës që do të paguhet për automjetin, nga çmimet e tregut dhe nga ndryshimet e tjera tatimore, përfshirë rritjen e paralajmëruar të TVSH-së standarde në 21%.
Masa është pjesë e Paketës Fiskale 2027 dhe duhet të kalojë procedurat e miratimit përpara zbatimit.
