Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se partia e tij nuk ka hequr dorë nga Ligji për Gjykatën Speciale dhe do të vazhdojë të angazhohet për mbajtjen e tij në fuqi.
I pyetur për kërkesën e PDK-së për kthimin e ligjit në Kuvend, Hoxhaj e cilësoi atë si pozicionim politik, moral dhe negociues në mbrojtje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai tha se pret që ligji të shqyrtohet javën e ardhshme në Komisionin për Legjislacion, duke e vlerësuar kërkesën për kthimin e tij në Kuvend si gabim fatal dhe të panevojshëm.“Nuk kemi hequr dorë nga ligji, as nuk e kemi anuluar. Meqë ne e shohim ligjin si një pozicionim politik për të dalë në mbrojtje të krerëve të UÇK-së në Hagë, e shohim edhe si një pozicionim moral, pasi për këtë ligj shumë qytetarë të Kosovës kanë protestuar për më shumë se 20 ditë. Mendojmë se edhe moralisht, si PDK, duhet të vazhdojmë të luftojmë që ky ligj të jetë në fuqi.
E shohim edhe si një pozicionim negociues. Jam i bindur se javën e ardhshme Ligji për Specialen do të jetë në Komisionin për Legjislacion. Duhet të ketë urgjencë për miratimin e tij sa më shpejt. Mendoj se kërkesa jonë që ky ligj të tërhiqet ka qenë një gabim fatal, i panevojshëm dhe i domosdoshëm për t’u shmangur”, tha Hoxhaj në T7.
