Analisti Genc Burimi e sheh humbjen e Aleksandër Vuçiç në Serbi si një sinjal që mund të ndikojë edhe në zhvillimet politike në Shqipëri.Në një intervistë për News24, ai deklaroi se protestat kundër Edi Ramës synojnë jo vetëm largimin e kryeministrit, por edhe tërheqjen e vëmendjes së kancelarive europiane, të cilat, sipas tij, mund të rishikojnë mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare.
Humbja e kampit të Aleksandër Vuçiç në Serbi ka nxitur diskutime për mundësinë që protestat dhe mobilizimi qytetar të sjellin ndryshime edhe në vende të tjera të rajonit. Analisti Burimi e interpreton këtë zhvillim si një “krisje” për pushtetin e Edi Ramës, duke argumentuar se rezultati në Serbi mund të japë shpresë për qytetarët shqiptarë që kundërshtojnë qeverinë.
Sipas tij, në një moment, kancelaritë europiane mund të arrijnë në përfundimin se vazhdimi i mbështetjes për qeverinë Rama ka një kosto më të lartë sesa një ndryshim politik.
“Protesta në Shqipëri ka synim jo vetëm Edi Ramën por për të nxjerrë nga heshtja edhe kancelaritë evropiane. Në një moment të caktuar do të bëjnë llogarinë se mbase mbajtja e Ramës në pushtet është më e kushtueshme sesa zëvendësimi i tij, ose do ta vënë Ramën në një embargo ekonomike, ose do t’i thonë Ramës se ke dosje në SPAK. Prandaj ose prano negociatën, atë qeverinë teknike ose do të largohesh me pahir. Drejt kësaj po shkojmë.”, tha ai.
