Grupi punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore për procedurat e apelit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para Dhomave të Specializuara në Hagë ka mbajtur të martën mbledhjen konstituive, nën drejtimin e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca.
Konjufca ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.
“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel. Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj”, ka shkruar ai në Facebook.
Konjufca ka theksuar se UÇK-ja i bashkon qytetarët përtej dallimeve politike dhe se institucionet e Kosovës dhe forcat politike kanë përgjegjësi të qëndrojnë të bashkuara në mbështetje të krerëve të saj.Sipas tij, kjo mbështetje duhet të shoqërohet me përkushtim dhe vendosmëri për mbrojtjen e asaj që ai e cilëson si të drejtë historike të popullit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës e kishte formuar grupin punues më 14 tetor, me mandat për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në rastin e katërshes së UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.
