Marta Kos: Serbia e ka të vështirë anëtarësimin në BE pa sanksione ndaj Rusisë

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar se Serbia do ta ketë shumë të vështirë të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nëse nuk e përafron politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, veçanërisht sa i përket Rusisë dhe luftës në Ukrainë.

E pyetur nëse Serbia mund të anëtarësohet në BE pa vendosur sanksione ndaj Rusisë, Kos theksoi se mospërputhja me qëndrimet e bllokut evropian për çështjet strategjike do të përbënte pengesë serioze për procesin e integrimit.

“Një vend që nuk përafrohet me ne për çështje me interes strategjik, si politika e jashtme dhe e sigurisë, përfshirë luftën e përbashkët kundër Rusisë, veçanërisht në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë, nuk do të mund të përparojë. Kjo do të jetë shumë, shumë e vështirë”, deklaroi ajo.Megjithatë, Kos bëri të ditur se Bashkimi Evropian ende nuk ka nisur bisedimet me qeverinë e re të Serbisë. Sipas saj, fillimisht duhet të formohet qeveria e re në Beograd, pas së cilës do të vlerësohen mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit me Serbinë.

Ndërkohë, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, lista e mbështetur nga studentët ka siguruar 52,71 për qind të votave, duke lënë pas koalicionin e mbështetur nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë 39,17 për qind.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME