Për herë të parë në 35 vite, qytetarët protestojnë çdo ditë me nismën e tyre. Mesazhi nuk është vetëm për Ramën, por për gjithë klasën politike.
Janë bërë 35 ditë. Tridhjetë e pesë ditë që bulevardi përpara Kryeministrisë nuk është bosh. Tridhjetë e pesë ditë që qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora dalin në shesh pa flamuj partie, pa autobusë të organizuar dhe pa urdhra politikë. Vetëm me një kërkesë të përbashkët: ndryshim.
Në 35 vite pluralizëm, Shqipëria ka parë protesta të mëdha, revolta, greva urie dhe tubime masive. Por rrallëherë, në mos kurrë, një protestë ka zgjatur kaq gjatë me iniciativën e vetë qytetarëve. Pikërisht këtu qëndron forca e saj.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec, shumë shpejt u kthye në një revoltë kundër mënyrës se si është qeverisur vendi. Sot, në shesh nuk dëgjohen vetëm thirrjet “Rama ik”, por edhe “Rama në burg, Berisha në burg”. Ky është ndoshta mesazhi më i fortë i kësaj proteste: zemërimi nuk drejtohet më vetëm ndaj një qeverie, por ndaj një klase politike që shumë qytetarë e konsiderojnë përgjegjëse për gjendjen e vendit.
Gjatë këtyre 35 ditëve, qeveria provoi pothuajse çdo strategji. Fillimisht e injoroi protestën. Më pas u përpoq ta minimizonte. Më vonë nisi sulmet personale ndaj protestuesve, akuzat, linçimin publik, etiketimet dhe përpjekjet për ta paraqitur si një lëvizje të manipuluar. Kur kjo nuk funksionoi, erdhën përplasjet me policinë, arrestimet dhe tensionet.
Megjithatë, dita e 35-të dha një përgjigje të qartë. Bulevardi ishte më i mbushur se kurrë. Kjo tregon se zemërimi nuk është zbehur. Përkundrazi, ai vazhdon të jetë aty.
Por protesta nuk është një mesazh vetëm për Edi Ramën.
Ajo është një sinjal po aq i fortë edhe për opozitën tradicionale. Për vite me radhë, Sali Berisha ka organizuar protesta të shumta kundër qeverive socialiste. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk arriti të krijojë një lëvizje të përditshme, që të zgjasë mbi një muaj dhe të mobilizojë qytetarë pa një organizim klasik partiak.
Kjo tregon se problemi nuk është mungesa e pakënaqësisë. Njerëzit janë aty. Ata kanë dalë në shesh. Por një pjesë e tyre nuk e gjejnë veten te politika tradicionale. Në këtë kuptim, protesta është edhe një kritikë ndaj opozitës, që nuk ka arritur të kanalizojë këtë pakënaqësi dhe të frymëzojë qytetarët.
Në fund, ndoshta ky është ndryshimi më i madh që ka sjellë kjo lëvizje.
Për herë të parë pas shumë vitesh, në bulevard nuk sfidohet vetëm një qeveri. Sfidohet një mënyrë e të bërit politikë. Sfidohet ideja se pushteti dhe opozita janë dy anë të së njëjtës medalje. Dhe pikërisht për këtë arsye, pavarësisht se si do të përfundojë kjo protestë, një gjë duket se ka ndodhur tashmë: këta të rinj e të reja treguan se shqiptarët mund të ngrihen duke kthyer shpresën te të gjithë ne. /Pamfleti
