Nga: Atdhe Gjoci
Nëse vëzhgojmë historinë e institucioneve njerëzore, qofshin ato perandori apo organizime politike, mbijetesa e tyre varet ekskluzivisht nga besimi në një “mit të përbashkët”. Kur ky mit shkërmoqet dhe zëvendësohet nga pragmatizmi i mbijetesës utilitare, kalaja kthehet në një han. Lidhja Demokratike e Kosovës, dikur kështjellë e një ideologjie shtetformuese, sot po përjeton pikërisht këtë mutacion ontologjik. Rikthimi i Vjosa Osmanit në gjirin e këtij entiteti nuk është thjesht një manovër elektorale; është simptoma finale e një organizmi që ka humbur imunitetin e tij aksiologjik, duke hapur dyert për një sakrilegj që do të lërë pasoja strukturore në të ardhmen.
Për të kuptuar këtë fenomen, duhet analizuar trajektorja e vetë zonjës Osmani, e cila përfaqëson një model të përsosur të simbiozës politike. Ajo kurrë nuk ka demonstruar guximin e një lideri të vërtetë për t’u matur në mënyrë sovrane përballë gravitetit elektoral, por ka operuar vazhdimisht si pasagjere mbi supet e të tjerëve. Kjo sjellje zë fill me inxhinierin e parë të karrierës së saj, zotin Fatmir Sejdiu; pasi konsumoi kapitalin e tij, ajo e braktisi atë me një ftohtësi llogaritëse, duke shpërfaqur një mungesë mirënjohjeje që do të kthehej në modus operandi të saj.
Strategjia e saj supreme ka qenë monopolizimi i narrativës së “viktimës”.
Duke u mveshur dështimet të tjerëve, ajo ka vepruar ashpër për të shpëlarë imazhin pas çdo frakture. E përdori LDK-në deri në asht, pastaj kapërceu ylberin drejt atij që dikur e stigmatizonte si “Hugo Chavezin e Ballkanit”. Dhe sot, kur “Chavezi” nuk i garanton më mbijetesën, rikthimi në hanin e vjetër reflekton një inkoherencë absolute, shkeljen mbi çdo parim për të mos humbur lokomotivën e pushtetit.
Iluzioni se ky bashkim do të prodhojë një pranverë të re për LDK-në është miopi. Ndonëse injektimi i këtij “trupi të huaj” mund të sjellë rritje margjinale votash, kostoja afatgjatë do të jetë e kushtueshme. Ky sakrilegj ka prodhuar një frakturë që hëpërhë mbahet e shtrydhur; por nuk është e rastësishme që zoti Hoti, zonja Bajrami dhe figurat që përfaqësojnë kontributin brenda partisë, kanë filluar të manifestojnë haptas pakënaqësi.
Në këtë përplasje, zoti Abdixhiku dhe zonja Osmani shfaqen si shpëtimtarë, por në fakt njëri vjen nga klanet oligarkike e tjetra nga egocentrizmi, të dy misionarë dekonstruktivë, ku kryeneçësia e tyre autoritare po asgjëson meritokracinë përballë interesave.
Ky teatër nuk do të ishte i mundur pa labilitetin kognitiv të vetë masave që i simpatizojnë këto dy figura. Në psikologjinë e turmave, fanatizmi shoqërohet me amnezi. Po ky elektorat që dikur i vishte aureolën e “Merkelit”, e zhveshi me termat më denigrues ditën kur ajo iu bashkua “Chavezit”, vetëm për ta kurorëzuar sërish sot si “Mbretëreshë” në një akt të pashembullt disonance njohëse. Kjo inkonsekuencë dëshmon një traumë kolektive brenda LDK-së. Që nga vdekja e Ibrahim Rugovës, baza ka humbur busullën, duke e shndërruar shtëpinë në një entitet ku kujtesa institucionale zgjat më pak se një cikël elektoral.
Semiotika e videos së fundit e berë nga zonja Osmani drejtuar diasporës, shfaq oportunizëm të pa shoq. Duke e zhvendosur veten në cep të kuadrit për të lënë në qendër pikturën e Rugovës, ajo nuk shpreh respekt, por servilizëm pamor, një instrumentizim i të vdekurit për të manipuluar të gjallët. Është përpjekja e dëshpëruar për t’u rishitur si “rugoviste”, pavarësisht braktisjes sistematike të çdo vlere të tij.
Në fund, ky rikthim shënon tretjen e një institucioni historik nga forcat e utilitarizmit, duke mos përjashtuar as zotin Rama, i cili është aty thjesht si eksponent i këtij klani. LDK po pranon të kthehet në një stacion tranzit për ata që e braktisën, duke dëshmuar se kur një strukturë flijon njerëzit që e mbajtën gjallë në kohë stuhish, ajo rresht së qeni organizatë politike. Ky han i ri, sapo mysafirët të marrin atë që duan, do të lihet sërish në harresë.
P.S.
Gabriel García Márquez ka thënë:
“Kërmilli ka ngjitur majën e Everestit duke u lëpirë mbi këpucën e alpinistit”.
