Nga Atdhe Gjoci
Që nga fillimet e tij, njerëzimi ka arritur të bashkëpunojë në numra duke besuar në të njëjtat tregime imagjinare. Ligjet dhe rezolutat nuk janë të vërteta fizike si graviteti, forca e fërkimit apo rrezatimi diellor; ato janë fiksione ligjore që ne i krijojmë për t’i dhënë kuptim botës dhe për të përcaktuar se cilës palcë i përkasim.
Por çfarë ndodh kur një organizëm politik vendos të injorojë historinë e tij të përgjakshme në oborrin e shtëpisë, për të dënuar një armik mijëra kilometra larg?
Më 17 mars 2026, brenda një harku kohor prej vetëm 22 minutash, Parlamenti i Shqipërisë kreu një ritual mbresëlënës të bashkëpunimit modern: Me 79 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, ai shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
Kryetari i grupit parlamentar socialist e kornizoi këtë si një mbrojtje të “rendit demokratik”, duke kujtuar sulmet kibernetike që kishin goditur institucionet e vendit.
Në rrafshin global, ky tregim funksionoi në mënyrë të përsosur; ministri i Jashtëm i Izraelit nxitoi të duartrokasë Tiranën, duke e quajtur këtë një “demonstrim të qartë të dimensionit moral në politikën e jashtme”. Për një vëzhgues të jashtëm, Shqipëria u shfaq si një gardiane e vendosur e parimeve universale, por ky imazh fsheh një paradoks të thellë brenda mureve të veta.
Nëse kthehemi pas, vetëm pak muaj më parë, më 16 tetor 2025, i njëjti Parlament refuzoi të miratonte një rezolutë që dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Njëzet e tetë vjet pas masakrave kundër të njëjtës etni, institucioni që gjeti kohë rekord për të dënuar Teheranin, nuk gjeti asnjë vullnet për të njohur krimet serbe mbi shqiptarët e Kosovës. Mazhoranca e mbrojti këtë mosveprim duke u fshehur pas eufemizmave si “koordinimi ndërkombëtar” dhe rreziku i “politizimit”. Kjo ngre një pyetje thelbësore: Pse politika në Tiranë zgjedh të luftojë fantazmat kibernetike të Lindjes së Mesme, por refuzon të përballet me plagët e trungut të vet?
Përgjigjja nuk fshihet te rreziku real, por te një sindromë e vjetër e servilizmit sistematik.
Përgjatë historisë, qeveritë e Tiranës kanë treguar një prirje të errët për të ulur kokën para hegjemonisë së fqinjit të tyre serb, madje edhe kur vihej në pikëpyetje ekzistenca kombëtare e vëllezërve shqiptarë në Kosovë.
Kjo qendër politike pëlqen shpesh një paqe të rreme me persekutorin historik, duke e trajtuar dhimbjen e gjakut të vet si një kosto të papranueshme për “stabilitetin” e pushtetit. Ky lloj vasaliteti modern e shndërron tragjedinë e Kosovës në një monedhë këmbimi për qetësi afatshkurtër me Beogradin.
Në këtë kontekst, dënimi i Iranit shfaqet si një performancë teatrale për të fituar pikë në arenën ndërkombëtare, pa asnjë kosto reale. Ndërkohë, në prapaskenë, trajektorja e vërtetë e politikës së jashtme duket se kalon pashmangshmërisht nga Beogradi. Kjo romancë e thelluar diplomatike duket se është dizajnuar për ta anashkaluar Prishtinën, duke vizatuar skica të reja rajonale ku Kosova nuk trajtohet si e barabartë, por si një pengesë për partneritetin e “madh” mes Ramës dhe Vuçiqit.
Sot, politika shqiptare nuk udhëhiqet nga memoria historike, por nga nevoja për të qenë pjesë e një “klubi” më të madh, qoftë edhe duke shkelur mbi të shkuarën e kombit të vet. Megjithatë, ndërsa Kosova vazhdon rrugëtimin e saj të pandalshëm drejt Perëndimit, pyetja që mbetet për Tiranën zyrtare është sa filozofike aq edhe politike: Çfarë vlere ka dimensioni moral i lavdëruar nga bota, nëse ai ndërtohet mbi heshtjen e vuajtjeve të njerëzve të tu? Një shtet që dënon terrorin larg vetes, por fal gjenocidin në shtëpinë e vet, mund të fitojë duartrokitjet e miqve të largët, por rrezikon të humbasë plotësisht arsyen e vet të ekzistencës.
