Në sfondin e një situate gjeopolitike delikate, lideri i Vetëvendosjes duhet të zgjedhë mes pushtetit dhe integritetit politik…
Situata politike në Kosovë ka hyrë në një fazë kritike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje arritën të fitojnë shumicën e votave, duke siguruar kështu legjitimitetin moral dhe politik për të vazhduar drejtimin e vendit. Megjithatë, përballë një realiteti gjeopolitik aspak të favorshëm dhe një klime ndërkombëtare që shfaq hapur prirje për rishikimin e kufijve dhe favorizimin e interesave të veçanta, sfidat për Kurtin janë më të mëdha se asnjëherë.
Administrata e Donald Trump, që në përfundim të mandatit të tij të parë dha sinjale të qarta të një politike më pak të qartë për Kosovën dhe më të hapur ndaj interesave të Serbisë, duke sjellë në tavolinë edhe idenë kontroverse të shkëmbimit të territoreve. Kjo qasje e Trump ka krijuar një mjedis delikat dhe të pasigurt për Kosovën, duke e bërë pozicionin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes më të ndjeshëm në planin ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, pyetja kryesore politike është nëse Kurti duhet të formojë qeverinë tani apo të lejojë kundërshtarët të provojnë ta bëjnë këtë, duke ruajtur integritetin dhe konseguencën e tij politike. Nga njëra anë, marrja e pushtetit i jep Kurtit mundësinë e implementimit të vizionit të tij politik dhe social në Kosovë. Nga ana tjetër, situata e komplikuar ndërkombëtare mund ta detyrojë atë në një kompromis të dhimbshëm, duke ia dëmtuar rëndë imazhin politik dhe duke minuar mbështetjen popullore që gëzon aktualisht.Një opsion strategjik për Kurtin mund të jetë pikërisht tërheqja taktike – të lejojë kundërshtarët e tij, të cilët janë më të gatshëm për kompromise të dyshimta ndërkombëtare, të marrin përgjegjësinë për qeverinë në këtë moment të vështirë. Një qasje e tillë do t’i lejonte Albinit të ruajë integritetin e tij, duke mbetur një alternativë e fortë morale në rast se qeveria tjetër dështon në negociata apo në proceset integruese.
Ky skenar strategjik mund të duket si një hap prapa, por mund të jetë rruga më e sigurt për të mbrojtur interesat afatgjata të Kosovës. Duke pasur parasysh zhvillimet ndërkombëtare që aktualisht duket se janë në favor të rishikimeve dhe interesave të fuqive të mëdha, Kosova ka nevojë për një lider që nuk shpenzon kredibilitetin e tij politik në marrëveshje që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Kosova është në një moment historik. Vendimet që do të marrë Kurti në ditët në vijim nuk do të jenë vetëm zgjedhje politike, por edhe përcaktime strategjike për të ardhmen e vendit. Në këtë pikë kthese, ruajtja e koherencës, integritetit dhe sovranitetit duhet të jetë prioritet mbi çdo ambicie personale apo partiake .
Shkruar nga Gjergj Zefi