Radoiçiqi në kërkim nga Serbia, Bosnja merr vendim të fortë edhe ndaj vëllezërve Veselinoviq

Agjencia për Inteligjencë dhe Siguri e Bosnjës dhe Hercegovinës (OSA) ua ka ndaluar hyrjen në këtë shtet tre shtetasve të Serbisë: Milan Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviqit dhe Zharko Veselinoviqit.

Kundër Milan Radoiçiqit, i cili në Serbi po hetohet për përfshirjen në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, është caktuar masa e paraburgimit në Beograd. Gjithashtu, është lëshuar fletarrestim ndaj tij, pasi më 15 nëntor nuk ishte paraqitur në policinë serbe.

Ai akuzohet për organizim kriminal, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve, si dhe për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Ish-inspektori i Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar se sipas informacioneve jozyrtare që disponon, Radoiçiqi është larguar nga Serbia më 12 nëntor dhe ka udhëtuar drejt Moskës.

Ndërkohë, tre pjesëtarë të grupit të tij janë dënuar në Kosovë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Dy prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa njëri me 30 vjet burgim.

Edhe biznesmeni kontrovers Zvonko Veselinoviq, i cili konsiderohet një nga personat më me ndikim në Serbi dhe i afërt me strukturat qeverisëse, është larguar nga Sarajeva më 11 nëntor, duke udhëtuar drejt Stambollit me një fluturim të mëngjesit, sipas të dhënave të publikuara nga KRIK. /Telegrafi/

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME