Historia që Kabashët e mbajtën brenda shtëpisë

Një përgjigje Xhemajl Kabashit për atë që nuk di për Kabashët e tij.

Shkruan Baton Haxhiu

E lexova reagimin e Xhemajl Kabashit. Xhemajlin e njoh prej kohësh dhe më erdhi mirë që, ndoshta pa e pasur qëllim, ai tregoi një pjesë të historisë që e bën edhe më të kuptueshëm kapitullin tim.

Por historia e Kabashëve është më e gjatë dhe më e ndërlikuar se kaq. Dhe, Xhemajl, edhe pse je ndër më të rinjtë e Kabashëve të Krushës, ka pjesë të kësaj historie që ose nuk i ke parë, ose nuk i ke lexuar, ose nuk t’i kanë treguar.

Po t’i tregoj unë siç i kam dëgjuar ndër vite nga vetë Kabashët dhe siç i kam lidhur më pas me historinë e familjes.

Xhemajl Efendi Kabashi ishte figurë e njohur e Prizrenit, me rrënjë nga Kabashi i Prizrenit. Familja e tij i përkiste degës së Muçajve, ndër më të vjetrat e Kabashit, e para që kishte zbritur nga fshati në qytet në fillim të shekullit XIX. I shkolluar në Selanik dhe Stamboll, gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë veprimtar nacionalist i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Bindjet e tij antikomuniste ishin të forta dhe nuk i fshehu kurrë.

Vajzën e madhe, Rahmijen, apo Rabijen, e martoi me Sokol Dobroshin. Gjakovar, i shkolluar në gjimnazin e Kragujevcit dhe më pas në Beograd, ku ishte ndër më aktivët e shoqërisë studentore “Besa”, Dobroshi mbahet mend si avokati i parë shqiptar i Kosovës, i regjistruar më 1937. Në shtator të vitit 1943 ishte njëri nga dymbëdhjetë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv që drejtoi kuvendin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Të dytën, Vahiden, Xhemajl Efendiu ia kishte premtuar( kështu ka qenë bota e atyre viteve) Qazim Ramë Bllacës, shokut të Dobroshit që nga bankat e Kragujevcit. Qazimi ishte i biri i Ramë Bllacës nga Bllaca e Suharekës, i treti ndër gjashtëmbëdhjetë fëmijë, i rritur në Prizren që gjashtëvjeçar dhe më pas student i drejtësisë në Beograd. Në prill 1941 kishte ndalur një kolonë gjermane në Qafë të Duhlës dhe u kishte kërkuar ushtarëve mbrojtje për shqiptarët nga hakmarrja serbe. Hyri në Prizren me atë kolonë dhe prej asaj dite qyteti e mbante për hero. U bë nënprefekt i Suharekës, në qershor 1941 kryetari i parë shqiptar i Bashkisë së Prizrenit, pastaj deputet i Kosovës në Tiranë, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Lidhjes së Dytë dhe zëvendësministër në qeverinë e Rexhep Mitrovicës.

Dy dhëndurë nga i njëjti krah. Dy shokë shkolle. Të dy në krye të Lidhjes. Kështu e kishte menduar Xhemajl Efendiu të ardhmen e shtëpisë së vet.

Pastaj erdhi viti 1944 dhe e përmbysi gjithë llogarinë. Kur u pa se pushtetin do ta merrnin komunistët, fejesa e Vahides me Qazimin nuk u bë dhe u hap rruga e lidhjes së saj me Fadil Hoxhën, komandantin e partizanëve të Kosovës. Në vitin 1945 ata nisën bashkëjetesën.

Qazimin e priste tjetër fat.

Në fund të dhjetorit 1944 OZNA e arrestoi në shtëpinë e dajës në Budakovë. Pas gjashtë muajsh në burgun e Prishtinës iu dorëzua Sigurimit shqiptar. Në janar 1947 një gjykatë ushtarake në Tiranë e dënoi me njëzet vjet burg. Bëri nëntë vjet në Burrel, pastaj burgun e Tiranës deri më 1962 dhe më pas trembëdhjetë vjet internim në Shtyllas të Fierit. Në Kosovë u kthye vetëm më 1975. Vdiq në Prizren më 18 korrik 2005, nëntëdhjetë vjeç.

Burrat dhe pleqtë e Kabashit e kanë treguar lidhjen e Vahides me Fadilin si punë politike nga fillimi në fund.
Fadil Hoxhës i duhej një martesë që ta bënte më të pranueshëm te shqiptarët dhe ta qetësonte Kabashin.

Xhemajl Kabashit i duhej një mburojë.
Për Fadilin, Kabashi ishte punë më e rëndë se emri i mirë.

Gjatë luftës, çeta e Kabashit, e udhëhequr nga Hysen Rexhepi, Rexhaj, njeri i afërt i Xhemajl Efendiut, e kishte ekzekutuar Meto Bajraktarin. Metoja ishte partizan jugosllav, shok lufte i Fadilit, dhe Jugosllavia e re do ta mbante për hero të vetin. Kabashët e kishin vrarë si zullumqar ndaj shqiptarëve.

Komandanti i partizanëve të Kosovës kishte pra një hesap të hapur me një fis të armatosur që nuk ia kishte frikën as atij dhe as ushtrisë së tij. Martesa me të bijën e Xhemajl Kabashit ia mbyllte atë hesap.
I jepte legjitimitet, por mbi të gjitha i jepte paqe.

Mburoja e Xhemajlit u desh shumë shpejt. Ai vazhdoi të ishte nacionalist.

Në vitin 1945 ai u arrestua me grupin e intelektualëve shqiptarë ku bënte pjesë edhe Marie Shllaku, grup që u gjykua dhe u likuidua më 1946. Për peshën që kishte pasur në lëvizjen nacionaliste, ishte në listë bashkë me të birin, ende i mitur.

Por regjimi partizan e kishte tani shumë më të vështirë ta pushkatonte vjehrrin e komandantit të vet.
Xhemajl Kabashi u kursye. Mirënjohje nuk pati.

Pleqtë e Kabashit tregonin se ai nuk ushqeu kurrë simpati për Fadilin dhe se, pasi doli nga burgu, përçmimin për të nuk e fshehu në asnjë kuvend me burrat e fisit.

Dyzet vjet më vonë, kjo histori iu kthye Fadil Hoxhës si akuzë. Në sulmet që iu bënë në vitet tetëdhjetë, një nga pikat që iu përmendën ishte pikërisht rinia e Vahides dhe vjehrri nacionalist i paepur. Ishte pothuajse e vetmja pikë nacionaliste që mund t’i gjendej në biografi.

Këtu është ajo që historia zyrtare zakonisht nuk di ta tregojë. Njerëzit nuk jetojnë në kolona të pastra.
Nacionalistët në njërën anë.
Komunistët në tjetrën.
Armiqtë këtu. Miqtë atje.

Në jetën reale, armiku politik mund të bëhet dhëndër. Dhëndri mund t’ia shpëtojë kokën vjehrrit.
Vjehrri mund t’ia ketë borxh jetën dhe përsëri ta përbuzë deri në fund.
Kjo nuk është kontradiktë.Kjo është historia.

Vajza e tretë, Nahirja, u martua në rrethana të tjera me Rexhai Surroin, komunist jugosllav dhe diplomat të rëndësishëm të asaj kohe.

Dhe këtu vijmë te ajo fotografi për të cilën u hap gjithë kjo polemikë. Në një shtëpi të tillë, një fotografi e Titos nuk do të ishte ndonjë mrekulli e pashpjegueshme. Përkundrazi.

Do të ishte pjesë e logjikshme e një bote ku një pjesë e familjes kishte hyrë thellë në institucionet e Jugosllavisë socialiste, ndërsa një pjesë tjetër e së njëjtës trung familjar kishte qenë nacionaliste, e ndjekur, e burgosur ose e përplasur me atë sistem.

Kjo është pikërisht ajo që kam shkruar.
Një familje ku mund të gjeje në të njëjtën pemë gjenealogjike Xhemajl Efendi Kabashin, Fadil Hoxhën, Rexhai Surroin dhe brezat që erdhën më pas.

Njëri e kishte luftuar Jugosllavinë. Tjetri e kishte ndërtuar.
Njëri kishte hyrë në burg prej saj.
Tjetri e kishte përfaqësuar diplomatikisht.

Dhe një brez më vonë të gjitha këto histori takoheshin në të njëjtën kuzhinë.
Prandaj fotografia e Titos nuk është pjesa më e çuditshme e kësaj historie.
Është ndoshta pjesa më normale e saj.

Madje, Xhemajl, ti vetë në reagimin tënd ke treguar më shumë sesa ndoshta ke dashur.

Ke treguar pikërisht se sa e ndërlikuar ishte ajo familje.
Ke treguar nacionalistin. Ke treguar komunistin. Ke treguar martesën politike. Ke treguar shpëtimin. Ke treguar regjimin. Ke treguar njerëzit që u ngritën brenda tij.

Dhe pastaj kërkon që fotografia e Titos të duket si trillim.

Aty nuk të përcjell dot, siç ta them që fjalën trillim e ke të kot dhe pa shpjegim brenda.
Sepse historia familjare që ti vetë përshkruan e bën atë fotografi jo më pak të besueshme, por më të kuptueshme.

Ka edhe një pjesë që duhet ta dish.
Merita kryesore që Vetoni u rrit me identitet shqiptar, me gjuhën shqipe dhe me lidhjen e tyre me këtë histori, i takon shumë kabashëve.
Kjo ka rëndësi. Sepse familjet nuk trashëgojnë vetëm ideologji.

Trashëgojnë edhe gjuhë. Kujtesë. Përkatësi.

Dhe nganjëherë një grua e një familjeje bën më shumë për këtë trashëgimi sesa shumë burra që më vonë shkruajnë historinë e saj.

Prandaj, Xhemajl, këtë po ta shkruaj jo për të të mësuar historinë e familjes sate, por po ta shkruaj sepse ti ke hyrë në një histori që unë e kam dëgjuar prej njerëzve më të vjetër të Kabashëve shumë përpara se kjo polemikë të ekzistonte.

Ti je nga më të rinjtë e Kabashëve të Krushës. Dhe pikërisht për këtë duhet ta pranosh mundësinë se ka gjëra që nuk i ke parë vetë dhe, prabdaj ka gjëra që nuk i ke lexuar, dhe gjëra që ndoshta nuk t’i kanë treguar.

Historia e familjes nuk fillon me brezin që e shkruan statusin e fundit në Facebook.As nuk përfundon aty, sepse ajo ka kujtesë më të gjatë se ne.

Dhe njerëzit e vjetër të një fisi shpesh ruajnë pikërisht ato hollësi që dokumentet zyrtare nuk i kanë shkruar kurrë.

Prandaj unë nuk po e ndryshoj kapitullin, por, Po ta plotësoj historinë, sepse, në fund, ajo që ke shkruar ti sot nuk e rrëzon rrëfimin tim. Në shumë pjesë, pa dashur, e shpjegon.

Ka edhe një hollësi të fundit, Xhemajl, që nuk është pa rëndësi për këtë histori.

Në të njëjtën familje Surroi ishte edhe Afrim Surroi, i cili më pas u bë Altay Surroi dhe në jetën publike të Prizrenit u identifikua me atë emër. Nuk dua të flas për historinë politike të këtij njeriu sepse është e tij.
Nuk po hyj këtu në motivet e tij dhe as dua t’ia shkruaj unë identitetin dikujt tjetër. Por fakti vetë tregon sa të ndryshme kanë qenë rrugët brenda së njëjtës familje.

Dhe këtu, sipas meje, del edhe një meritë e madhe e Kabashëve.

Nëse në atë shtëpi do të kishte mbizotëruar një tjetër drejtim kulturor e familjar, ndoshta djali i Rexhai Surroit nuk do të quhej Veton. Ndoshta do të kishte një emër tjetër dhe një raport tjetër me gjuhën e identitetin e vet.

Por u quajt Veton.

Dhe për këtë, një pjesë shumë e madhe e meritës i takon Kabashëve e jo Surrojve.

Prandaj historia e kësaj familjeje është shumë më interesante sesa dëshira e sotme për ta bërë të pastër dhe lineare.

Në të ke Xhemajl Efendiun, nacionalistin. Fadil Hoxhën, dhëndrin komunist. Rexhai Surroin, diplomatin jugosllav. Afrimin që u bë Altay.

Ky është pikërisht kuptimi i kapitullit tim.
Një familje mund të mbajë brenda vetes disa histori, disa identitete dhe disa Jugosllavi njëkohësisht.

Prandaj, Xhemajl, duke qenë nga më të rinjtë e Kabashëve të Krushës, mos u ngut të mendosh se versioni që ke dëgjuar ti është e gjithë historia.

Ka gjëra që nuk i ke parë, dhe ka shumë gjëra që nuk i ke lexuar, poashtu ka edhe gjëra që të vjetrit ndoshta nuk t’i kanë treguar.

Unë disa prej tyre i kam dëgjuar pikërisht prej Kabashëve, shumë përpara se Vetoni dhe unë të kishim nevojë të shkruanim për një fotografi të Titos.

Prandaj nuk po ta ndryshoj historinë. Po ta plotësoj.

Me kaq e mbyll këtë polemikë sepse unë nuk kam më asgjë për të shtuar, përveçse secili të mbetet me aq histori sa ka mundur të kuptojë. Dhe të lexoi gjithë librin që ta kuptoi një pjesë të historisë së Kosovës.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME