Përmes zbatimit të masave të fshehta hetimore, Prokuroria ka siguruar prova të forta që rëndojnë pozitën e grupit që dyshohet se trafikonte kokainë në Prishtinë, e në të cilin dyshohet se bënte pjesë ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.
Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për trafikim të drogës: Jeton Stanovcit, Astrit Haraqijës, Gëzim Fekës, Albana Xhemajlit dhe Alban Malokut.Provat përfshijnë disa fotografi të cilat tregojnë Jeton Stanovcin, të dyshuarin si drejtues të grupit dhe të njohur me nofkën ‘Daja’, derisa del nga objekti ku banon Astrit Haraqija, raporton Paparaci.
Sipas dosjes së prokurorit Arben Hoti, ‘Daja’ dhe ish-ministri përgatisnin kokainën në banesën e Haraqijës. Substancën dyshohej se e sillte Mërgim Stanovci, një tjetër i dyshuar si pjesëtar i grupit të organizuar kriminal të trafikut të drogës. Mërgim Stanovci ndodhet në arrati, thuhet në dosje.“Nga zbatimi i masave të veçanta ku shihet se i pandehuri Jeton Stanovci duke dal nga objekti banesor në rrugën ‘Korabi’, Hyra A, në të njëjtin objekt ku banon edhe Astrit Haraqija e në të cilin objekt Jetoni, Mërgimi dhe Astriti takoheshin duke përgatitur substancën narkotike të cilën e sillte Mërgimi, dhe aty e ndanin në sasi të vogla, më pas të njëjtën ia jepnin Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje”, përshkruan Prokuroria në dosjen e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit.
Një tjetër fotografi që rëndon si provë kundër grupit të kokainës, shfaq Albana Xhemajlin, 26-vjeçaren e cila bashkëjetonte me bosin e grupit, Jeton Stanovcin, derisa pranon 40 mijë euro në garazhën e banesës së Stanovcit, sipas dosjes së Prokurorisë.
Kjo fotografi është shkrepur më 18 maj të vitit 2026 në orën 03:30 të mëngjesit, sipas dosjes.
Xhemajli dyshohet se atë mëngjes pranoi 40 mijë euro, burim i të ardhurave nga shitja e kokainës.
“Me datën 18.05.2026 në ora 03:30, Arianiti takohet me Gëzimin dhe i merr paratë e shitjes javore dhe i tubon rreth 40 mijë euro dhe i dërgon në garazhën e banesës së Jeton Stanovcit në rrugën ‘Ndue Përleshi’, objekti SIMA COM 2, e ku më pas në orën 03:42 në këtë lokacion shkon i pandehuri Arianit Beqiri dhe i dërgon paratë e shitjeve e ku paratë e shitjeve i takon tek ashensori i garazhdës e pandehura Albana Xhemajli”, thuhet në dosje.Gjashtë të dyshuar për këtë rast u arrestuan të shtunën në mbrëmje në një operacion policor të koduar nën emërtimin “Heshtja”. Një prej të dyshuarve u lirua në procedurë të rregullt, njoftoi policia të dielën.
Korab Bokshi, avokat i ish-ministrit Haraqija, tha të dielën në një prononcim për Kallxo.com se klienti i tij “nuk ka të bëjë fare me këtë vepër penale” për të cilën dyshohet. /Paparaci.com

