Mos u tallni me Ulpianën dhe banorët e saj!

Nga: Prof. dr. Agim Vinca

Letër e hapur kryetarit të komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama

Në maj të vitit që vjen bëhen pesëdhjetë vjet qyshse banoj në lagjen Ulpiana. Kësisoj mund ta quaj veten banor i vjetër i Ulpianës, por ka të tjerë që janë edhe më të vjetër se unë dhe familjarët e mi në këtë lagje. Shumë eksperimente janë bërë në Ulpianë, si në tërë Prishtinën, pas luftës, por pjesa te soliterët dhe Fontana, falë rastësisë, mbetën të paprekura. Shpëtuan nga duart e uzurpatorëve të paskrupullt, që s’lënë gjë pa bërë për të zhvatur hapësirën publike.

Isha këto ditë në një konferencë shkencore jashtë vendit dhe kur u ktheva dëgjova lajme që më shqetësuan dhe që, pasi mora informacionin e duhur, më shtynë të reagoj publikisht.
Marr vesh se në Kuvendin Komunal të Prishtinës, paska kaluar, Zoti Kryetar, me votat e partive në pushtet, projekti i quajtur “Prishtina 2030 Legacy”. Sipas këtij projekti, parashiheshka ndërtimi i një parkingu nëntokësor në zonën e Fontanës në Ulpianë, si dhe i një objekti banimi për kinse Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Si banor i vjetër i Ulpianës jam kategorikisht kundër këtij projekti. Jam i bindur se kështu mendojnë edhe fqinjët e mi dhe banorët e tjerë të Ulpianës, pjesa dërrmuese e tyre, në mos të gjithë. Sistemi i kaluar kishte shumë të meta, por në punë të ndërtimeve ishte shumë më i përgjegjshëm se ky i sotmi. Shihni vetëm se me çfarë planimetrie janë ngritur pesë rrokaqiejt e Ulpianës, me çfarë distance nga njëri-tjetri dhe me Fontanën në mes si stoli. Dhe krahasoni këtë me ndërtimet e pasluftës, që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen kudo në Prishtinë, përfshirë edhe Ulpianën, ku ka objekte të ngritura jashtë çdo parametri urbanistik, pa folur për shtesat, ballkonet dhe mbindërtimet e ndryshme. (Edhe kur njoftohen nga qytetarët inspektorët e komunës i tolerojnë ato).

Prishtina ka hapësira të tjera për parkingje nëntokësore dhe është absurde që për këtë të zgjidhet Ulpiana, kjo lagje emblematike e qytetit, që, për shumë arsye, është pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe, madje, edhe e historisë më të re të Kosovës.
Sa i përket Fontanës, dua të them edhe dy fjalë. Ka pesë-gjashtë muaj, në mos më shumë, që kanë filluar punimet për “restaurimin e saj”, por ato jo vetëm që s’kanë përfunduar, por nuk janë as në gjysmë. Kamionë, ekskavatorë dhe mjete të tjera teknike me muaj mrizojnë aty, ndërsa e gjithë hapësira është mbushur me gurë, rërë, hekur, beton e zhavorr. Banorët e Ulpianës janë privuar nga mundësia e shfrytëzimit rekreativ të kësaj pike të lagjes, ku vështirë kalohet ditën se jo më natën.

Ndoshta vetë fontana (shatërvani) ka pasur nevojë për ndërhyrje, por jo edhe pjesa rreth saj. Ato autostradat e vogla me bordura betoni që po ngrihen aty janë punë tenderi dhe asgjë tjetër, zoti Rama.
Në këtë gjendje, madje akoma më keq, është edhe qendra e qytetit, veçanërisht pjesa nga semaforët e deri te Hotel Grandi, që i ngjan një varreze. Në këtë pjesë të qytetit gjenden disa nga
institucionet më të rëndësishme kulturo-arsimore të Prishtinës dhe Kosovës, si Radio Kosova, Rektorati i Uiversitetit të Prishtinës, Fakulteti Filologjik, Biblioteka Kombëtare e ndonjë tjetër.
Ka pasur ankesa se punimet e stërzgjatura pengojnë veprimtarinë e tyre. Mua personalisht më është dhimbsur shumë ai brezi i gjelbër në mes të rrugës, që u zhduk pa mëshirë, për t’u mbuluar
brutalisht me beton! Me këtë mendësi do të vijë dita t’i ngremë përmendore fijes së barit!

Shtrohet pyetja: me çfarë përshtypjesh largohen nga kryeqyteti ynë turistët e huaj që e vizitojnë atë sidomos në muajt e verës? Çfarë imazhi marrin me vete ata? Atë të gërmimeve që i ngjajnë një tume mesjetare në mes të qytetit!
Një nga shkrimtarët e mi të adhuruar, autori i romanit të famshëm “I huaji” (L’Étranger), Alber Kamy (Alber Camus), flet për të ashtuquajturin eskapizëm intelektual, që nënkupton ikjen e njerëzve të penës dhe intelektualëve të tjerë nga problemet konkrete të rrethit në të cilin jetojnë.

Gjithmonë kam qenë kundër këtij mentaliteti dhe vazhdoj të jem. Nuk mund të heshti kundrejt një projekti që e shndërron lagjen ku banoj në park makinash. Më shumë se urbanistik ky plan më duket urbanocid. Ruajtja e identitetit të kësaj pike të kryeqytetit është me rëndësi jetike për banorët e Ulpianës dhe jo vetëm.
Andaj, Zoti Kryetar, përdorni autoritetin tuaj për anulimin e vendimit të marrë kohë më parë nga Kuvendi i Komunës që e drejtoni tash dy mandate dhe hiqni dorë nga ky projekt absurd! Mos u tallni me Ulpianën dhe banorët e saj! Dëgjoni zërin e qytetarëve!

Prishtinë, 15 nëntor 2026

Me nderime,
Prof. dr. Agim Vinca

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME