Në emisionin “Kojshia Show”, Esat Shala ka rrëfyer dëshmi për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, duke publikuar edhe pamje që kanë prekur emocionalisht të pranishmit në studio.
I ftuar së bashku me snajperistin e Koshares, Musa Smajli, Shala ka folur për masakrat ndaj popullatës së pafajshme civile dhe për dëshmitë që, sipas tij, hedhin dritë mbi pjesëmarrjen e personave të caktuar në krimet e luftës.
Gjatë bisedës, Shala ka përmendur edhe rastin e Shahin Bushit, për të cilin ka pretenduar se po hetohet nga Policia e Kosovës. Ai ka deklaruar se ekzistojnë dëshmitarë okularë nga Krusha e Madhe, të cilët pretendojnë se e kanë parë Bushin duke marrë pjesë në masakrat e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë.
Pamjet e shfaqura gjatë emisionit e kanë prekur thellë Musa Smajlin, i cili nuk ka mundur t’i mbajë lotët teksa i ka parë ato.
I prekur nga dëshmitë dhe pamjet, Smajli i është drejtuar edhe kryeministrit Albin Kurti me një mesazh, duke përcjellë emocionet dhe shqetësimin e tij lidhur me krimet e luftës dhe drejtësinë për viktimat.
Ndiqeni videon e plotë për të parë rrëfimin dhe mesazhin e tij.
