Ulja e numrit të ushtarëve amerikanë në të gjithë Evropën, e kryer nga administrata e Presidentit Amerikan Donald Trump, do të jetë më e vogël nga sa kishin frikë aleatët evropianë dhe pritet një tërheqje totale prej rreth 5,000 ushtarësh , raportoi sot Bloomberg, duke cituar burime të informuara mirë.
Burimet deklaruan se pjesa më e madhe e reduktimit prej 5,000 ushtarësh do të zbatohet për Gjermaninë, ndërsa vendet evropiane, anëtare të NATO-s, kishin frikë se Pentagoni mund të tërhiqte deri në 25,000 ushtarë nga një total prej rreth 80,000 ushtarësh amerikanë të vendosur në Evropë.
Burimet deklaruan gjithashtu se vendimi përfundimtar do të merret nga Trump, i cili ka kritikuar ashpër vazhdimisht anëtarët evropianë të NATO-s për mosndihmë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit në luftën kundër Iranit.
Nënsekretari i Mbrojtjes i SHBA-së për Çështjet e Politikave, Elbridge Colby, pritet t’i paraqesë Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegsett, një raport zyrtar mbi ndryshimet e propozuara.
Komandanti Suprem i NATO-s për Evropën dhe kreu i Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane, Gjenerali Alexus Grinkevich, i ofroi ekipit të Colby-t disa skenarë të mundshëm për t’u marrë në konsideratë në shtator.
Hegseth pritet t’i japë rekomandimet përfundimtare Trump më 1 dhjetor.
“Amerika nuk mund të shqetësohet për mbrojtjen e Evropës më shumë se aleatët tanë, as të ndajë më shumë para për të”, u tha Hegseth aleatëve të NATO-s në fillim të këtij viti, kur njoftoi një rishikim të numrit të trupave amerikane në Evropë.
Operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit janë mbështetur kryesisht në bazat ushtarake evropiane dhe aftësinë për të fluturuar mbi territorin e vendeve aleate.
