Një këngë patriotike serbe e vitit 1989, e luajtur në koncertin hapës të Komisionit Evropian në Bruksel, ngjalli indinjatë dhe kërkesa për llogari në Kosovë dhe në Parlamentin Evropian, ndërsa Komisioni ende nuk ka dhënë shpjegim.
Mbrëmja mbante titullin “Melodi të Unitetit” (Melodies of Unity). Por gjatë saj u dëgjua “Oj Kosovo, Kosovo” – këngë serbe e shkruar në vitin 1989, në shenjë të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës.
Ndodhi të dielën, më 15 nëntor 2026, në koncertin me ftesa që çeli edicionin e dytë të Forumit të Zgjerimit të BE-së, i hapur, sipas programit, nga vetë komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
Programi zyrtar njoftonte Orkestrën e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, ansambël që, sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, lindi nga një akademi verore muzikore që mbahet në Kosovë që nga viti 2012.
Donika Emini, eksperte e politikës së jashtme, i tha Telegrafit se kur programi arriti te Kosova, “doli titulli i këngës që ishte shumë problematik”, e më pas u luajt pa vokal. “Unë u shokova, dola menjëherë jashtë,” tha Emini, duke kërkuar që Kos t’i kërkojë falje popullit të Kosovës.
Autori i këngës, Ljubomir Manasijević, ka rrëfyer se e shkroi i frymëzuar nga vigjilja në Manastirin e Graçanicës për Vidovdanin e vitit 1989. Teksti e lartëson Kosovën si tokë serbe dhe përmend princin Lazar e Millosh Obiliqin, figura të epikës dhe të traditës fetare serbe.
Institucionet në Prishtinë reaguan po atë mbrëmje. Agron Bajrami, ambasador i Kosovës në Belgjikë dhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, shkroi në X se “ky nuk është shkëmbim kulturor” dhe kërkoi nga Komisioni e Kos të sqarojnë menjëherë si u përzgjodh dhe u miratua repertori.
Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, shkoi më tej. “Kjo është skandaloze dhe e papranueshme,” shkroi ai, duke pyetur edhe pse Kosova nuk ishte e ftuar në forum.
Nga opozita, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e ndau fajin në dy drejtime: tha se ngjarja ishte “fyerje e rëndë ndaj shtetit tonë” dhe kërkoi sqarim nga Brukseli, por akuzoi edhe qeverinë: “kur udhëheqja jonë e trajton shtetin me amatorizëm, çmimin e paguan krejt Kosova.”
Komisioni Evropian, deri në shkrimin e këtij artikulli, nuk ka dhënë asnjë përgjigje publike. Nuk dihet kush e zgjodhi këngën, as nëse Komisioni e kishte miratuar paraprakisht programin artistik.
Eurodeputeti estonez Riho Terras ka reaguar ashpër pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe.
Terras ka ngritur dyshime nëse përfshirja e këngës “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës, ishte provokim i qëllimshëm apo rezultat i injorancës.
Përmes një postimi në platformën X, ai e ka cilësuar ngjarjen si një gabim jashtëzakonisht të rëndë dhe pa takt.
“Provokim i qëllimshëm apo injorancë e plotë. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe që shpreh pretendime mbi Kosovën, në një aktivitet për zgjerimin e BE-së, është një gabim jashtëzakonisht pa takt dhe pa shije”, ka shkruar Terras (përkthim nga anglishtja).Ai ka kërkuar drejtpërdrejt përgjegjësi nga institucionet evropiane.
“Komisioni Evropian dhe Marta Kos i detyrohen Kosovës një shpjegim”, ka shkruar ai, duke iu drejtuar komisioneres evropiane për Zgjerim.
