Kriza e trefishtë që po trondit sot botën

Rrezikut që infektimet e reja të dalin jashtë kontrollit, dhe të përhapen edhe një herë në nivel global, duhet t’i shtohet edhe kriza e vazhdueshme ekonomike dhe sociale, dhe një përhapje e tensioneve gjeopolitike tashmë në përshkallëzim e sipër.

Nga Joschka Fischer

Pandemia e Covid-19, po hyn në fazën e saj të dytë, teksa vendet po rihapin gradualisht ekonomitë e tyre, dhe po lehtësojnë, apo madje edhe po heqin masat e rrepta të distancimit social. Megjithatë, në mungesë të një terapie të efektshme, apo pasjes në dispozicion të një vaksine, rikthimi në “normalitet” do të jetë më shumë një aspiratë se sa një realitet.

Më keq akoma, ai rrezikon të shkaktojë një valë të dytë infektimesh në nivel lokal dhe rajonal, dhe ndoshta edhe në një shkallë shumë më të madhe. Është e vërtetë: vendimmarrësit politikë, punonjësit e kujdesit shëndetësor, shkencëtarët dhe publiku i gjerë kanë mësuar shumë nga përvoja e valës së parë.

Por ndonëse një valë e dytë infektimesh duket shumë e mundur, ajo do të sillet ndryshe nga e para. Në vend se një karantinë e re në shkallë të plotë, që zakonisht e ndal tërësisht jetën ekonomike dhe sociale të një vendi, këtë herë reagimi do të mbështetet kryesisht tek masat e rrepta por specifike të distancimit shoqëror, mbajtja e maskave në fytyrë, telekomunikimi, video-konferencat etj.

Por, në varësi të intensitetit të valës tjetër të Covid-19, mund të jenë ende të nevojshme karantinat lokale ose rajonale, sidomos në rastet më ekstreme. Ashtu si vala e parë e pandemisë, edhe faza tjetër e saj, do të përfshijë 3 kriza të njëkohshme.

Rrezikut që infektimet e reja të dalin jashtë kontrollit, dhe të përhapen edhe një herë në nivel global, duhet t’i shtohet edhe kriza e vazhdueshme ekonomike dhe sociale, dhe një përhapje e tensioneve gjeopolitike tashmë në përshkallëzim e sipër.

Ekonomia globale, gjendet tanimë në një recesion të thellë, që nuk do të tejkalohet shumë shpejt apo tepër lehtë. Dhe kjo, bashkë me pandeminë, do ta thellojë më tej rivalitetin intensiv Kinë-SHBA, sidomos gjatë muajve të fundit para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.

Dhe sikur ky kombinim trazirash shëndetësore, socio-ekonomike dhe gjeopolitike, të mos ishte mjaftueshëm destabilizues, nuk mund të shpërfillet në këtë mes edhe faktori Trump. Nëse presidenti amerikan Donald Trump do të fitonte një mandat të dytë 4-vjeçar, kaosi aktual global do të përshkallëzohej në mënyrë dramatike, ndërsa një fitore e rivalit të tij demokrat, Xho Bajden, do të sillte të paktën një stabilitet më të madh.

Rreziqet që vijnë nga zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA, vështirë se mund të ishin më të larta sesa kaq. Duke pasur parasysh krizat në rritje që ka sot bota, nuk është e tepërt të thuhet se njerëzimi po i afrohet një udhëkryqi historik.

Shkalla e plotë e recesionit ekonomik, nuk do të bëhet me siguri e dukshme deri në vjeshtë apo dimër, kur me shumë gjasa ajo do të përjetohet si një tronditje tjetër, pasi bota nuk është mësuar më me rënie të tilla dramatike. Si në rrafshin psikologjik, ashtu edhe në terma realë, ne jemi mësuar me rritjen e vazhdueshme ekonomike.

A do të jenë në gjendje vendet më të pasura në Perëndim dhe Azi, të përballen me një recesion të thellë, të shumë-përhapur, të gjatë apo edhe me një depresion ekonomik? Edhe nëse triliona dollarë fonde të dhëna në formën e shpenzimeve stimuluese, mund të duken si të mjaftueshme për të shmangur një kolaps të plotë, pyetja është se çfarë do të vijë më pas.

Në skenarin më të keq (që në fakt nuk është i pamundur), Trump rizgjidhet si president i SHBA-së, vala e dytë e pandemisë do jetë sërish globale, ekonomitë do të vazhdojnë të pësojnë rënie, dhe Lufta e re e Ftohtë në Azinë Lindore do të bëhet e “nxehtë”.

Por edhe nëse dikush nuk merr parasysh skenarin më të keq, kriza e trefishtë do të shkaktojë nisjen e një epokë të re, që do të kërkojë rindërtimin e sistemeve politike dhe ekonomike kombëtare, dhe institucioneve shumëpalëshe ndërkombëtare.

Edhe në skenarin më të mirë, nuk mund të ketë rikthim në statuskuonë e para disa muajve. E kaluara ka ikur; tani ka rëndësi vetëm e ardhmja. Ne s’duhet që të kemi ndonjë iluzion se çfarë mund ndodhë më pas.

Krizat e shkaktuara nga pandemia janë aq të thella dhe të gjata në kohë, sa që çojnë pashmangshmërisht në një rishpërndarje radikale të fuqisë dhe pasurisë në nivel global.

Shoqëritë që janë përgatitura për këtë skenar, duke mbledhur energjinë, njohuritë dhe investimet e e nevojshme, do të jenë në mesin e fitimtarëve.

Ndërsa ata që nuk arrijnë të shohin se çfarë po vjen, do të jenë në grupin e humbësve. Tek e fundit, shumë kohë përpara pandemisë aktuale, bota po kalonte një tranzicion drejt epokës digjitale, me ndikime shumë të gjera për vlerën e teknologjive tradicionale, trashëgiminë e industrive tradicionale, dhe shpërndarjen e fuqisë dhe pasurisë globale.

Për më tepër, një krizë edhe më e madhe globale, është tashmë plotësisht e dukshme në horizont. Pasojat e ndryshimit të klimës, do të jenë shumë më të rënda se çdo gjë tjetër që kemi përjetuar ndonjëherë, dhe nuk do të kemi asnjë shans që këtë problem ta zgjidhim vetëm me një vaksinë.

Kështu, pandemia e Covid-19, shënon një pikë kthese të vërtetë. Për shekuj me radhë, ne jemi mbështetur mbi një sistem të ekonomisë politike, që përfshin shtete sovrane egoiste, industri (si në kapitalizëm ashtu edhe në socializëm), të cilat funksionojnë me lëndë djegëse fosile, dhe që konsumojnë burime natyrore të fundme.

Ky sistem po mbërrin shpejt në limitet e veta, duke e bërë të pashmangshëm ndryshimin thelbësor. Detyra jonë tani është të mësojmë sa më shumë që mundemi nga vala e parë e krizës së trefishtë. Për Evropën, e cila edhe para pandemisë dukej se kishte rënë shumë në aspektin ekonomik dhe gjeopolitik, momenti aktuale paraqet një shans të papritur për të adresuar të metat e saj të dukshme.

Evropa ka vlerat e saj politike (demokracinë, sundimin e ligjit dhe barazinë sociale), njohuritë teknike dhe fuqinë e investimeve, për të vepruar me vendosmëri në interes të parimeve dhe synimeve të veta, si dhe ato të njerëzimit në përgjithësi. Pyetja e vetme, është se çfarë janë duke pritur evropianët.

Shënim: Joschka Fischer, ish Ministër i Jashtëm dhe zv.kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005 / Project Syndicate – Bota.al

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here