Kosova nuk ka pse ngutet për ndonjë marrëveshje të pafavorshme me Serbinë. Kosova ka pozitë më të mirë se sa Serbia në statu quo, ngase Serbia është shumë më përpara në procesin e integrimit evropian dhe asaj i ngutet të kompletojë procesin, ndërsa Kosova është shumë më larg.
Shkruan: Milazim KRASNIQI
Humbjen e drejtimit të duhur në kthesa historike elitat tona dhe kombi ynë e ka provuar shumë herë. Fjala vjen, e kanë provuar në formën më tragjike në kryengritjet e viteve 1910-1912, kur u bënë mish për top për llogari të shteteve ballkanike. Sikundër ka konstatuar Elena Kocaqi-Levanti, “qëllimi i fuqive ballkanike ishte destabilizimi i Turqisë me anën e shqiptarëve dhe më pas marrja e tokave të tyre. Këto forca nuk patën qëllime politike të qarta dhe si çdo gjë që financohej nga fqinjët, ajo nuk ishte e dobishme për integritetin e Shqipërisë, sepse ndihmoi në copëtimin e saj.”
Më qartë nuk ka si thuhet. Humbjen e drejtimit e provoi edhe qeveria e Ismail Qemalit, kur bëri përpjekjet fatale me Beqir Grebenenë, gjë që shkaktoi rënien e saj. Drejtimin e kishte të humbur që nga e para qeveria e Esat Toptanit po edhe mbretërimi i princ Vidit, siç e kishin edhe kryengritja e Shqipërisë së Mesme, Republika e Gjon Markagjonit, rebelimi i qershorit 1924. Humbje e ekuilibrit ishte edhe afrimi me Italinë fashiste, gjë që krijoi pretekstin për pushtimin fashist në vitin 1939. Partia Komuniste u shndërrua në kukull të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, me gjithë pasojat që ky devijim dhe deformim prodhoi për Shqipërinë dhe për mbarë kombin tonë shqiptar. Edhe përkrahja e luftës civile greke nga ana e regjimit komunist të Shqipërisë, po ashtu ishte një veprim i pamoralshëm dhe strategjikisht i gabueshëm.
Kalimi i Shqipërisë hoxhiste në përqafimin maoist, po ashtu është një nga episodet bizare të këtyre devijimeve kronike hileqare e antikombëtare. Gabime të rreshtimeve dhe orientimeve të tilla të ne shqiptarëve ka aq shumë, saqë është zor të numërohen. Të pranuarit e këtyre fakteve, e pakta hapja e diskutimeve kritike për to, mund të na ndihmojë të kuptojmë jo vetëm se ku është gabuar nga hartuesit e politikave të shqiptarëve në shekullin XIX e XX dhe në fillimet e shekullit XX, por edhe se ku mund të gabohet sot e në të ardhmen.
Kjo që u tha, si inicim i shikimit kritik të historisë së ndarjes së trojeve shqiptare në vitin 1912, na e hap mundësinë që të kuptojmë edhe gjendjen aktuale të njësive të veçanta, dy shteteve Shqipërisë, Kosovës, po edhe Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Serbisë, ku jetojnë shqiptarët në trojet e veta. Pa u thelluar në ndonjë analizë, është lehtësisht e kuptueshme që njësitë shtetërore a territoriale, që sot mund të identifikohen si troje shqiptare, janë të ndara efektivisht dhe tentojnë të realizojnë projekte të ndara. Ajo që mund të bëhet sot është se mund të lëvizet drejt fuqizimit të dy shteteve ekzistuese, Shqipërisë e Kosovës dhe nëse bëhen shtete të suksesshme, edhe drejt ndonjë forme të asocimit të tyre, paralelisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, pa prekur me asgjë Maqedoninë, Greqinë a Malin e Zi. Format e bashkëpunimit të Shqipërisë e Kosovës me shqiptarët në shtetet e tjera, Maqedoni, Greqi, Serbi e Mali i Zi, i shoh vetëm nën ombrellën e NATO-s dhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (nëse BE nuk shpërbëhet në ndërkohë.) Bile, pas rritjes së rrezikut të ekstremizmit me ambalazh fetar islamik, pas fuqizimit të frikshëm të Rusisë në Ballkan, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe me Donald Trampin në SHBA, ne shqiptarët duhet të kemi më shumë kujdes, që të mos hyjmë më skemat e armiqve tanë.
Armiqtë tanë, Rusia e Serbia posaçërisht, tashmë po ëndërrojnë të na fusin në skemat e tyre e të na përdorin si mish për top, siç i përdoren veçmas liderët shqiptarë të kryengritjeve shqiptare në vitet 1910/1912.Personalisht kam frikë se mund të na përsëritet ajo histori e hidhur, të vërtetën e së cilës nuk kemi denjuar kurrë që ta mësojmë deri në fund. Veçmas në rastin e Kosovës. Pse?
Kosova si rast sui generis
Sepse është injoruar fakti që Kosova u bë shtet në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e jo si ndonjë korrigjim i padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, që janë bërë kundër nesh të kaluarën. Vlerësimi për suksesin e shqiptarëve të Kosovës në bërjen e shtetit, duhet të trajtohet brenda kontekstit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, proces në të cilin Kosova dhe shqiptarët e saj kanë kontribuar realisht, por jo në mënyrë vendimtare, jo aq sa ajo federatë të shpërbëhej nga fuqia gjëmësjellëse e shqiptarëve. Shpërbërjen e ish Jugosllavisë e ka provokuar në mënyrë vendimtare nacional-socializmi serb, me projektin e krijimit të Serbisë së Madhe si modifikim i Jugosllavisë së AVNOJ-it, e cila nga doktrina nacional-socialiste serbe u konsiderua si padrejtësi e bërë ndaj serbëve. Veprimet e lëvizjeve nacionale sllovene, kroate, shqiptare, boshnjake, maqedonase e malazeze për pavarësi, kanë qenë reaktive ndaj projektit nacional-socialist serb të Serbisë së Madhe. Në rastin e Kosovës dhe të shqiptarëve, reagimi në vitet tetëdhjetë ka qenë ndaj masave represive, ndaj diskriminimit ndërsa në vitet nëntëdhjetë ndaj segregacionit e në fund të tyre edhe ndaj spastrimit etnik dhe gjenocidit serb.
Pra, historia e shtetit të Kosovës, këtij shteti që ekziston sot si i tillë, duhet të fillojë nga narracioni mbi shpërbërjen e ish Jugosllavisë, e jo nga ndonjë pretendim megaloman se Kosova u pavarësua falë ndërgjegjes mbi përkatësinë dardane e ilire e madje as të projektit të nacionalizmit shqiptar të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Narracionet romantike për të kaluarën heroike të Kosovës, si tokë dardane, si bastion i shqiptarizmës, është mirë të mbahen e të kultivohen në sferën e kulturës e të arteve, por jo të mendimit shkencor, politik e shtetëror, sepse në atë rast nuk e shprehin të vërtetën. Në anën tjetër me aso narracionesh të pavërteta dhe agresive, mund të krijohet perceptimi për shqiptarët si një popull plangprishës e rebel, të cilit nuk mund t’i zihet besë as nga Bashkimi Evropian dhe as NATO-ja, sepse shqiptarët ditkan të jenë jolojalë dhe të pabesë në situatë krizash, siç qenkëshin treguar jolojalë e të pabesë ndaj Shtetit Osman dhe ndaj ish federatës jugosllave, kur ato ranë në krizë.
Prandaj, duhet të dominojë narracioni më modest, sipas të cilit përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për dalje nga okupimi serb kanë qenë të imponuara, ndonëse edhe si të tilla, ato ishin të pamjaftueshme për të arritur suksesin, po të mos e fillonte nacional-socializmi serb procesin e pakthyeshëm të formimit të Serbisë së Madhe, si zëvendësim për ish federatën jugosllave. Modifikimi i projekteve të shqiptarëve në periudha të ndryshme është dëshmi se atyre u janë imponuar reagimet: nga lëvizja irredentiste 1912-1945, (bashkimi me Shqipërinë), në vitet 60-80 u kalua në një lëvizje integriste (kërkesa për një republikë në kuadër të ish Jugosllavisë.). Por, pasi eskaloi kriza në vitet nëntëdhjetë, filloi artikulimi i kërkesës për pavarësi, ndonëse edhe deklarata e 2 korrikut 1990 dhe referendumi i shtatorit 1991 ende e parashihnin Kosovën si republikë në federatën/konfederatën jugosllave.
E dyta, raporti i Badenterit, që konstatoi shpërbërjen e ish federatës jugosllave, ndonëse Kosovën e injoroi, de facto e hapi rrugën që edhe Kosova ta ndiqte rrugën legale të pavarësimit, meqë ishte “element konstituiv i federatës”, gjë që më vonë e mori para sysh edhe Gjykata e Drejtësisë, në vlerësimin e pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën ndërkombëtare. Pra, shpërbërja e ish federatës jugosllave ka krijuar bazën legale në pavarësimit të Kosovës, meqë Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 ishte bërë element konstituiv i atij federalizmi. Por, me Marrëveshjen e Vjenës, e cila prodhoi Planin e Ahtisarit, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë përjashtohet si opsion. Kjo duhet të mbahet para sysh nga të gjithë, veçmas nga elitat.
E treta, lufta çlirimtare është dëshmi e avancimit të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, si reagim ndaj segregacionit, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Ndonëse me elemente pothuajse mitike të sakrificave, ajo luftë çlirimtare, me kapacitetet e saj, nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Krahas brutalitetit të Serbisë ndaj saj, edhe oscilimet ideologjike dhe qëndrimet radikale kundër lëvizjes paqësore, i kanë rrezikuar seriozisht mundësitë edhe ashtu të pakta të saj. Marrëveshja e Hollbrukut e tetorit 1998, e cila mundësoi ardhjen e vëzhguesve, ka qenë e rëndësisë strategjike për mbijetesën e Ushtrisë Çirimtare të Kosovës, si organizatë legale, unike dhe kooperuese me faktorët ndërkombëtarë. Intervenimi i NATO-s, 24 mars-10 qershor 1999 kundër caqeve ushtarake në ish Jugosllavinë e Zhablakut, me Marrëveshjen e Kumanovës (9 qershor 1999) mundësoi çlirimin e Kosovës, me çka u hap udha edhe për pavarësimin e saj në 17 shkurt të vitit 2008. Pra, pavarësia e Kosovës ka ardhur edhe si rezultat i intervenimit të NATO-s dhe i një akordi të gjerë ndërkombëtar, të mishëruar në Planin e emisarit të OKB-së, Marti Ahtisarit, e jo si ndonjë aksion i njëanshëm.
E katërta, armiqësia me Serbinë nuk është mbyllur dhe nuk ka gjasa që të mbyllet as në të ardhmen, në kuadrin ku po kërkohet mbyllja e armiqësive, në procesin e tashëm të Brukselit. E vetmja mundësi për të arritur një mbyllje të tyre është nëse Bashkimi Evropian ofron një pako për pranimin e të dyja vendeve në BE, paralelisht me arritjen e marrëveshjes. Por, pakoja e tillë duhet të përjashtojë çfarëdo mundësie të rishikimit/korrigjimit të kufijve. Ajo mund të akomodojë serbët në veriun e Kosovës, me një zgjidhje me elemente të “rregullimit të rajoneve” e asgjë më shumë. Në këtë aspekt, Kosova nuk ka pse ngutet për ndonjë marrëveshje të pafavorshme me Serbinë. Kosova ka pozitë më të mirë se sa Serbia në status quo, ngase Serbia është shumë më përpara në procesin e integrimit evropian dhe asaj i ngutet të kompletojë procesin, ndërsa Kosova është shumë më larg. Po ashtu Kosova tashmë ka në prapavijën e vet tre shtete të reja anëtare të NATO-s, të banuara me shqiptarë, të cilat do të destabilizoheshin nga konflikti eventual Kosovë-Serbi. Prandaj NATO-ja nuk do të lejojë agresionin e Serbisë në drejtim të Kosovës, sepse në atë rast kriza do të përfshinte edhe tre shtete anëtare të saj, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kjo rrethanë i jep Kosovës hapësirë më të gjerë manovruese edhe për marrëveshjen finale, sepse Kosova është në anën e NATO-s, ndërsa Serbia nën influencën direkte të Rusisë.
E pesta, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia urgjentisht duhet ta fillojnë një proces të gjerë e shumëplanësh evropianizimi, që do të përthekonte legjislacionin, qeverisjen, drejtësinë, mediet dhe shoqërinë mbarë. Përfarimi i ligjeve dhe rekomandimeve me ato të Bashkimit Evropian, reforma zgjedhore, çrrënjosja e korrupsionit, shteti i së drejtës, afirmimi i pakicave, mediet e lira dhe shoqëria e lirë, janë përgjegjësi e shoqërisë dhe e institucioneve të këtyre shteteve dhe e participimit të kombit shqiptar për të ardhmen e vet të sigurt euro-atlantike. Shqiptarët gjithandej duhet të ndërgjegjësohen për këtë fakt dhe të mos i votojnë politikanët e dhunshëm, të korruptuar, të padijshëm dhe esencialisht antievropianë. Në instancë të fundit, qytetarët e kanë në dorë evropianizimin e vendit.
E gjashta, realiteti brendashqiptar është mjaft kompleks: një komb, dy shtete dhe pjesëtarë të kombit edhe në disa shtete të tjera në rajon. Këto dy shtete dhe fragmentet në shtetet e tjera, duhet të harmonizohen e të mos lihen të veprojnë spontanisht, sepse në atë rast mund të vijnë në situata që t’i shkaktojnë dëme njëra tjetrës, ose edhe të konfliktualitet të ndërsjellë. Nuk duhet të hapen tema lidhur me “pronësinë” mbi kujtimet e përbashkëta, mbi gjuhën, ose mbi meritat në historinë kombëtare. Kuadri i veprimit dhe diskutimeve të tashme e të ardhshme për të ardhmen e shqiptarëve si komb duhet të vendoset brenda ombrellës atlantike dhe asaj të Bashkimit Evropian, e jo të nacional-romantizmit të shkuar, e aq më pak të ideologjive të falimentuara majtiste.
E shtata, kombi shqiptar është nga të paktat kombe evropiane, që e kanë arritur sintezën e bashkëjetesës harmonike ndërmjet besimeve të ndryshme fetare brenda të njëjtit komb. Kjo harmoni duhet të kultivohet edhe më shumë në të ardhmen dhe mundësisht të shndërrohet në model edhe për kombet e tjera evropiane, me çka imazhi i shqiptarëve, i dëmtuar rëndë nga çmoralizimi komunist, do të mund të përmirësohej. Respektimi i të drejtave dhe lirive fetare duhet të jetë i plotë, në frymën e Amandamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, që nuk lejon as Kongresin të miratojë ligje që e kufizojnë atë liri.
E teta, kultivimi pasionant i gjuhës shqipe në administratë, në medie, në arsimin publik e kudo në komunikim, duhet të jetë orientim strategjik kombëtar. Ky orientim mund të jetë më rezultativ, nëse financohet më shumë kultivimi i letërsisë shqipe dhe nëse financohet përkthimi masiv i literaturës universitare e artistike nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe. Rritja e cilësisë së arsimit, me theks te arsimi universitar, është vendimtar për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për ndryshimin e natyrshëm të elitave.
E nënta, dekonstruktimi i narracioneve nacional-romantike që e promovojnë izolimin, rebelizmin, cubninë e shqiptarëve, duhet të jetë pjesë e debateve të gjera akademike, intelektuale dhe artistike. Realisht, historia kryesore e neve shqiptarëve është zhvilluar brenda perandorive të mëdha, romake, bizantine, bullgare, osmane, ku edhe janë shënuar kontribute të konsiderueshme për ato histori e qytetërime, nga shumë shqiptarë. Ato kontribute duhet të rivlerësohen dhe të kontekstualizohen, duke u shndërruar në elementë forcues të identitetit shqiptar dhe në motivues bashkëpunimi e tolerance, në realitetet postmoderniste të tashme dhe të ardhshme, në rajonin dhe në kontinentin tonë. Tash e ardhmja e shqiptarëve si komb duhet të akomodohet brenda “perandorisë së re”, Bashkimit Evropan dhe brenda NATO-s, si e vetmja ombrellë që na mbron nga projektet pansllaviste.
Pra, nëse ndiqen këto rrugë të një rivlerësimi kritik të së kaluarës dhe të shmangies së aventurizmave në të tashmen, mund të sigurohet një orientim më i sigurt për të ardhmen. Në të kundërtën, nëse ndodhin gabime të tjera në kthesat gjeopolitike të radhës, siç kanë ndodhë në shumë raste në të kaluarën, atëherë rreziku për ekzistencën e kombit tonë dhe, veçmas, të Kosovës, si rast vërtet sui generis, mund të jetë shumë i madh. Në rastin e Kosovës, elita politike e përftuar nga periudha e luftës së armatosur, tashmë është vu në bankën e zezë, gjë që paraqet rrezik shtesë për humbje të drejtimit dhe ekuilibrave.