Kompania e njohur e neuroteknologjisë, Neuralink, e udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, ka kaluar me sukses në fazën e testimeve klinike te njerëzit për pajisjen e saj inovative tru-kompjuter. Teknologjia, të cilën Musk e ka cilësuar si një revolucion “të nivelit të Jezusit” për shkak të potencialit për të rikthyer lëvizshmërinë dhe shikimin, synon të shndërrojë kufizimet biologjike të njeriut në ndërfaqe digjitale, duke mundësuar kontrollin e pajisjeve teknologjike vetëm përmes mendimit.
Ndryshe nga fazat e hershme ku eksperimentohej vetëm me kafshë, Neuralink tashmë ka arritur rezultate konkrete te pacientët njerëzorë. Pacienti i parë i implantuar, Nolan Arbaugh – një 29-vjeçar i paralizuar nga qafa e poshtë – ka treguar se përmes çipit mund të kontrollojë kursorin e kompjuterit, të lundrojnë në internet dhe të luajë video-lojëra si Civilization VI krejtësisht përmes impulseve të tij mendore. Kompania ka vijuar implantimin edhe te pacientë të tjerë, duke dëshmuar stabilitet në rritje të ndërfaqes.
Pajisja e quajtur N1 ka madhësinë e një monedhe dhe përmban 1,024 elektroda të shpërndara në 64 fije tejet të hollë, më të imët se floku i njeriut. Për shkak të kësaj saktësie mikroskopike, implantimi nuk mund të bëhet nga dora e njeriut; ai realizohet përmes një roboti kirurgjikal të projektuar posaçërisht, i cili i vendos fijet direkt në korteksin motorik të trurit për të regjistruar dhe stimuluar sinjalet elektrike.
Musk nuk ndalet vetëm te kontrolli i kompjuterit, pasi synimet afatgjata të kompanisë ndahen në tri shtylla kryesore mjekësore. E para është kthimi i shikimit përmes projektit të quajtur Blindsight, i cili synon të stimulojë drejtpërdrejt korteksin vizual për t’u kthyer shikimin personave që kanë lindur të verbër ose që kanë humbur sytë. Shtylla e dytë është rikthimi i lëvizjes duke anashkaluar dëmtimet e shtyllës kurrizore, gjë që do të lejonte dërgimin e sinjaleve të trurit direkt te muskujt ose te protezat robotike që personat me paralizë të ecin sërish. Së fundmi, teknologjia synon komunikimin e shpejtë, duke mundësuar të folurit ose shkrimin e shpejtë për personat që vuajnë nga skleroza laterale amiotrofike (ALS) apo sëmundje të tjera bllokuese.
Pavarësisht entuziazmit, komuniteti shkencor dhe neurokirurgët mbeten të kujdesshëm. Gjatë testimeve të para u vu re një problem teknik, ku disa nga fijet e çipit u tërhoqën nga indet e trurit për shkak të lëvizjes natyrale të tij brenda kafkës, gjë që detyroi inxhinierët të bënin modifikime në softuer për të rifituar ndjeshmërinë.
Përtej rreziqeve kirurgjikale dhe infeksioneve të mundshme, ekspertët nisin alarmet etike mbi privatësinë e të dhënave të trurit dhe sigurinë afatgjatë të pajisjes. Kalimi nga lëvizja e një kursori drejt kurimit të verbërisë mbetet ende një hendek i madh teknologjik që kërkon vite të tëra monitorimi dhe rregullimi ligjor./Korrespodenti
