Qytetari i pambrojtur, siguria publike e harruar!

Objektivisht qytetari ka mbetur i pambrojtur, i papërkujdesur dhe një valë e krimeve të rënda paraqet shqetësim serioz për një fushë komplekse sikurse është siguria dhe, brenda saj, siguria publike.

Shkruan: Burim Ramadani

Vendi po kërcënohet seriozisht nga bandat kriminale. Të armatosur, madje edhe me maska, banditët nuk zgjedhin vendin dhe as kohën për të shkrepur mbi të tjerët.

Kjo po ndodh në Kosovë. Në vitin 2023. Në Kosovën demokratike! Mungesa e përkushtimit të Qeverisë dhe MPB-së në fushën e sigurisë publike, vë në pikëpyetje nëse kjo është për shkak të mungesës së vizionit dhe largimit nga strategjitë nacionale ekzistuese.

Shfaqja e kriminelëve me maska siç ishte rasti i së mërkurës mbrëma në komunën e Skenderajt, ku mbeti një qytetar i vrarë dhe u plagosën tre të tjerë, nxjerrë në pah kurajon e grupeve kriminale për të vepruar.

Objektivisht qytetari ka mbetur i pambrojtur, i papërkujdesur dhe një valë e pasigurisë publike paraqet shqetësim serioz për një fushë komplekse sikurse është siguria.

Vendi është duke u përballur me sfida të shumta të sigurisë. Krahas qasjes së pasuksesshme në sigurinë nacionale në komunat në veri të Kosovës, rrjedha e pasigurisë publike fatkeqësisht ka filluar ta kaplojë mbarë vendin. Në Prishtinë, në Klinë, në Fushë Kosovë, në Skenderaj apo edhe ndonjë rast tjetër gjatë këtyre ditëve të fundit qytetarët janë terrorizuar nga krimi.

Në komunat në veri fatkeqësisht na u rrit dhe u rifuqizua EULEX-i! Na u rrit numri i trupave ushtarake të KFOR-it! U vendos vëmendje e madhe ndërkombëtare, me të mirat dhe të këqijat e saj, deri në vendosje të Kosovën nën masa shtrënguese diplomatike dhe praktike nga vendet partnere perëndimore.

Por, qytetarët e Kosovës po përballen me dobësim të dukshëm të sigurisë publike. Llojet e ndryshme të krimit, sidomos ato të rënda sikurse janë vrasjet, lëndimet e rënda trupore, armëmbajtjet pa leje, prezenca e madhe e narkotikëve, janë disa nga aktivitetet e kundërligjshme, të cilat po e cenojnë seriozisht jetën e qytetarëve.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, institucionet e sigurisë kanë punuar me shumë përkushtim në avancimin e sigurisë publike. Janë hartuar dhe implementuar shumë strategji nacionale, plane konkrete operative, të cilat mbi të gjitha kanë për qëllim parandalimin efikas të krimit dhe dukurive të ndryshme negative në shoqëri.

Nga viti në vit, efikasiteti i Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera vërehej direkt në ndjenjën e sigurisë së qytetarëve. Kjo për shkak të reduktimit në masë të madhe të krimit në përgjithësi, në veçanti vrasjet dhe krimet e rënda, duke u bazuar në implementimin e strategjive nacionale që kishin këtë qëllim.

Qasja e gabuar në politikat dhe veprimet në siguri e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme ka zhvendosur nga prioriteti elementin kyç në shoqëri: sigurinë publike. Duke u fokusuar pasuksesshëm në “tema të mëdha” të cilat e rritën EULEX-in (në vend se ky mision të ishte duke u mbyllur përfundimisht), hapësira u krijua për elementët me prirje kriminale të avancojnë në banda kriminale për të cenuar pothuajse të papenguara jetën e qytetarëve anekënd vendit.

Fatkeqësisht, tashmë siguria publike në vend është duke u sfiduar nga realisht banda të armatosura, të cilat nuk zgjedhin as target, as vend dhe as kohë për të terrorizuar qytetarët. Vrasjet e ditëve të fundit, përfshirë edhe vrasjen e një shtetase të huaj, janë treguesi më i qartë për pasigurinë dhe kërcënimet që u kanosen qytetarëve, si në rrugë, ambiente publike, lokale, hotele, apo gjetiu.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights