Marre për Kosovën, turp për Shqipërinë!

Nga Ag Apolloni

Sot u mbyll Panairi i Librit në Frankfurt, i njohur si panairi më i madh i librit në botë. Ishte kënaqësi e veçantë të merrja pjesë në këtë panair dhe të takoja miq dhe lexues të shumtë. Por, le ta shohim të vërtetën në sy, dhe le të themi, siç ka thënë Günter Grass në poezinë e tij të fundit, “was gesagt werden muss” (çfarë duhet thënë).

Pas pjesëmarrjes në panairin e sivjetëm në Leipzig, ku si pjesëmarrës patëm njëqind probleme me akomodimin dhe fluturimin për shkak që mjetet që u ndanë me vonesë nga Ministria e Kulturës (por ky është material për një novelë), në këtë edicion të Frankfurtit ajo as që u kujtua të dërgonte ndonjë shkrimtar për ta përfaqësuar vendin, gjuhën, kulturën dhe shtetin.

Edhe pse ardhja ime si shkrimtar nuk mbështetej nga ndonjë institucion kosovar, pranova të bëj një prezantim në stendën e Kosovës në Frankfurt, sa për ta zbutur varfërinë e prezantimit të shtetit tonë në kuadër të këtij panairi gjigant.

Unë erdha në këtë panair falë mbështetjes nga të huajt që më konsiderojnë të tyrin, pra nga organizatorët e EUPL-së.

Kështu:

për pjesëmarrjen në Leipzig, përkrahja nga Ministria ishte për t’u vajtuar;

për pjesëmarrje në Panairin e Budapestit duket se as ndërmend s’i ka shkuar;

për pjesëmarrjen në Frankfurt, me sa mora vesh nga organizatorët, një përkrahje modeste ka pasur për Shoqatën e Botuesve të Kosovës, e cila me atë shumë ka paguar vetëm stendën dhe s’ka mundur ta përgatisë as një katalog anglisht të autorëve kosovarë, as të sjellë libra nga Kosova (vitrina e saj ishte shumë e varfër, në fakt, më e varfra).

Për të mos dështuar pjesëmarrja, kontribuan vullnetarisht (si gjithmonë) edhe shqiptarët nga diaspora, duke bërë moderimin, duke lexuar ndonjë tekst, duke ofruar ndihmë teknike dhe ushqim e pije. Në veçanti, flija ishte shumë e shijshme. Ndërsa flijimi i kulturës nga neglizhenca e Ministrisë ishte diçka e dhimbshme. Nuk e kuptoj se ku dëshiron të dalë kjo Ministri me këtë “përkrahje” ndaj kulturës.

Sidoqoftë, vullnetarisht edhe kësaj here ia dolëm të prezantohemi. Vetëm se, edhe një përkrahje e tillë nga Ministria, dhe ne do të jemi të humbur. Më keq se Kosova ishte vetëm Shqipëria, e cila nuk u prezantua fare.

Ftoj ministrat e kulturës në Kosovë e Shqipëri, t’i hapin sytë dhe të prezantohen së bashku në panaire të tilla. Për sivjet, marre për Kosovën dhe më turp për Shqipërinë!

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights