Albin Kurti s’i ‘paloi’ veç 50 Rrahmana, i ‘paloi’ gati krejt punëtorët e Kosovës

Nga Jetlir Buja

Qeveria Kurti e fitoi luftën ndaj mësimdhënësve. Por, kjo është veç njëra nga shumë fitoret e saj. Paraprakisht, Qeveria Kurti ka fituar ndaj mjekëve, infermierëve, mamive, zjarrfikësve, policëve, punëtorëve të pastrimit, xehetarëve, ushtarëve, punëtorëve të Ferronikelit, bujqve, gazetarëve dhe të papunëve. Dhe, cikli i fitoreve s’do të ndalet… deri në humbjen përfundimtare të secilit prej nesh.

Të gjitha kategoritë e lartpërmendura të punëtorëve kanë bërë protesta (përveç gazetarëve) në një moment a tjetrin prej shtatorit të vitit të kaluar e deri tash. Dhe të gjithë ishin subjekt i gjuhës dehumanizuese nga eksponentët e pushtetit. Të gjithë u mposhtën, një nga një.

Para disa ditësh, Rrahman Jasharaj me sindikalistë tjerë kërkuan nga anëtarësia që të ndërprisnin grevën në arsim dhe të nisnin mësimin më 3 tetor. Qeveria nuk po reflektonte, nxënësit po e pësonin dhe ata vetë s’po mund ta duronin sharjen. Kështu mund të përmblidhet arsyetimi nga kryetari i Këshillit Grevist të SBAShK-ut.

Gati 10 mijë mësimdhënës votuan që greva të mos ndërpritej. Pra, i dolën kundër edhe kërkesës së Rrahman Jasharajt, kryesindikalistit që fillimisht u portretua nga Albin Kurti si njeriu i vetëm që po shtynte përpara krye në vete kërkesat sindikale. 10 mijë vetë ishin në gjendje të duronin edhe më shumë gjuhë dehumanizuese, edhe më shumë sulme mbi dinjitetin e tyre dhe ishin të gatshëm të duronin edhe pezullime tjera pagash. 10 mijë vetë do ta nisin punën nesër pavullnetshëm, me detyrim.

Por, këta s’janë të vetmit. Dhjetëra mijëra punëtorë i kanë ikur Kosovës përgjatë dy viteve të fundit. Mjekët po përmenden më së shpeshti, sepse nevoja për ta është më e dukshme meqë shëndetësia publike rrezikon kolapsin. Por, shenja kolapsi po shfaqen gjithandej në tregun e punës. Ka ikje gati në secilin prej profesioneve ku të ardhurat janë poshtë një mijë eurove në muaj. Paevitueshëm kjo do ta dobësojë edhe më shumë cilësinë e shërbimeve publike (por, jo vetëm) që marrim, ose mund të na lë krejt pa shërbime.

Qeveria me eksponentët e pushtetit duken aq të padijshëm sa nuk i marrin vesh as gjërat më elementare për tregun e punës. Më e rëndësishmja, se tregu i punës evoluon dhe s’e duron arbitraritetin për aq sa njerëzit janë të lirë. Asnjë prej shërbimeve nuk mund të na garantohet me fjalë goje. Asnjë prej mjekëve s’e ka obligim që të punojë si mjek. Asnjë prej mësimdhënësve s’e ka obligim që të punojë si mësimdhënës.

Është e vërtetë se gjendja në arsim varet goxha shumë edhe nga performanca e vetë mësimdhënësve. Por, mësimdhënësit më të mirë janë larguar, po largohen e do të largohen nga mësimdhënja. Ky profesion nuk është tërheqës për fuqinë më të kualifikuar punëtore dhe për rrjedhë do të kemi përkeqësim të mëtejmë të gjendjes në arsim. E do të kemi përkeqësim të gjendjes edhe në sektorë tjerë.

Qeveria Kurti mund të vazhdojë të luftojë e të fitojë kundër secilit e secilës që shpreh pakënaqësi. Mund të vazhdojë të përdhos dinjitetin e secilit dhe secilës. Mund të vazhdojë të operojë me narrativën e ngushtë që prodhohet nga një njeri i vetëm. E edhe me skicimet vizatimore idiote për fëmijë të vegjël që po përdoren prej analistëve analfabetë që iu mbajnë anën. Por, humbjet e vazhdueshme të qytetarëve, dobësimi i vazhdueshëm i qytetarëve, përbën lajm të mirë veç për qeveritë autoritare.

Prandaj, është e domosdoshme dhe urgjente që Qeveria të adaptojë një gjuhë më përfshirëse e më humane edhe nëse kjo nuk rezulton në mobilizim të përditshëm të aktivistëve dhe profileve tyre të rreme.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights