Studiuesi dhe historiani Auron Tare ka deklaruar se pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në protestën e zhvilluar për të 25-ën ditë radhazi në Tiranë përfaqëson një rebelim të rinisë kundër mënyrës se si po menaxhohen pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit.
Sipas tij, revolta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, ndërsa theksoi se vendimmarrja për territorin dhe trashëgiminë kombëtare nuk mund të përqendrohet në duart e një individi.
Ai tregoi gjithashtu se interesimi i mediave të huaja për zhvillimet në Shqipëri është rritur ndjeshëm.
Në deklaratën e tij, Tare u ndal veçanërisht te çështja e Butrintit dhe zonave të mbrojtura, duke pretenduar se ato po përballen me ndryshime të pakthyeshme për shkak të ndërhyrjeve ligjore dhe projekteve të zhvillimit.
“Kemi një rebelim të madh të rinisë për të thënë që nuk është më e pranueshme që arkitekturën, peizazhet, trashëgiminë kulturore apo e vendit ta ketë vetëm një person në dorë. Ky është thelbi i kësaj proteste të madhe në bulevard.
Para disa vitesh kisha një takim, intervistë, quajeni si të doni, mbi tre orë me një gazetar shumë interesant të Neë Yorker, i cili është në Shqipëri. Duhet thënë që Tirana është pak a shumë, për mua që merrem me mediat, në një situatë lufte ku mediat nga më të rëndësishmet të botës kanë zbarkuar në Tiranë, vetëm në kohën e Kosovës ka ndodhur kjo.
Vendi po përballet me një tjetërsim të pakthyeshëm të zonave të mbrojtura, duke ia dorëzuar bregdetin dhe parqet kombëtare një grupi shumë të ngushtë interesi.”, deklaroi Tare.
Historiani kujtoi përpjekjet e bëra në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000 për mbrojtjen e Butrintit dhe zonës përreth, ndërsa akuzoi qeverinë dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) se kanë ndjekur një proces që sipas tij ka ndryshuar statusin e menaxhimit të kësaj pasurie.
Ai pretendoi se ndryshimet ligjore të viteve të fundit kanë hapur rrugën për ndërtime në zona të mbrojtura, duke përmendur Butrintin, Kepin e Stillos, Ksamilin, Deltën e Vjosës, Thethin, Valbonën dhe zona të tjera.
Sipas Tares, pas këtyre zhvillimeve qëndron një model turizmi i bazuar te rritja e vazhdueshme e numrit të vizitorëve, i cili sipas tij ka shtuar presionin mbi natyrën dhe hapësirat e mbrojtura.
“Prej vitesh qytetarët kanë parë tkurrjen e hapësirave publike, duke nisur që nga cenimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore e deri te zhdukja e vijës bregdetare.
Dhe ai po më pyeste se çfarë po ndodhte dhe unë i thashë: Për të kuptuar çfarë po ndodh, duhet të kuptoni se çfarë ka ndodhur në Butrint këto vjet. Pra për t’ju dhënë përgjigje dhe atyre pyetjeve tuaja. Çfarë ka ndodhur? Përpjekjet e mëdha që u bënë në ’98-n, ’99-n, 2000-n, kur dhe zoti Rama ishte ministër i Kulturës, dhe disa prej kryeministrave të kohës si Nano, Meta dhe presidenti Meidani, punuan fort që… jo vetëm qyteti antik, por e gjithë zona përqark të shpallej zonë e mbrojtur, pasuri botërore, konventa Ramsar, e tjerë e tjerë.
Para katër vjetësh, nëpërmjet një procesi totalisht të korruptuar dhe të manipuluar nga qeveria shqiptare dhe AADF-ja, pra Fondi Shqiptaro-Amerikan, u bë e mundur që qytetit antik t’i ngulej një flamur amerikan, pra tashmë do të menaxhohet nga një fond amerikan, AADF-ja, dhe zona përqark, pra gjithë zona më e bukur e Shqipërisë përballë Korfuzit, është dhënë, apo po planifikohet të jepet, ndërtuesve të ndryshëm të cilët kanë filluar tashmë dy operacione të mëdha: njëra është Kepi i Stillos, tjetra është zona nga Ksamili në Kanalin e Vivarit. Pra po ndërtohet dhe në vende të tjera siç është për shembull qyteti edhe më i lashtë i Butrintit, Kalivoja, planifikohet të ndërtohet, po dhe zonat e Bufit apo Diaporitit e tjerë e tjerë.
Të gjitha këto janë bërë me votën e kukullave të parlamentit, të cilët votuan për të amenduar ligjin, si ligjin e trashëgimisë kulturore, pra që i hapte rrugë menaxhimit të qendrave antike shqiptare apo të zonës së trashëgimisë kulturore me fondacione, si dhe amendimit të ligjit të famshëm të 2024-s, i cili specifikisht thotë që tashmë në zonat e mbrojtura mund të ndërtohen edhe resorte me pesë yje. Pra të dyja këto ligje janë bërë specifikisht për të ndërhyrë në zonat më të bukura të Shqipërisë duke prishur në mënyrë të pakthyeshme disa prej trashëgimisë tonë më të rëndësishme që ne kemi.
Dhe kjo mendoj unë e shpjegon fare mirë çfarë po ndodh në Zvërnec, Pishë Poro, Nartë, e tjerë e tjerë, ku e vërtetë, ajo protesta filloi për atë moment, pra për atë zonë, por është e shtrirë në të gjitha zonat e tjera të mbrojtura siç është Rrjolli, siç është Delta e Vjosës, siç është Langarica e cila është shpartalluar komplet, siç është përgjatë lumit të Vjosës që është shpallur park kombëtar, siç është Thethi apo Valbona e tjerë e tjerë. Pra zonat të cilat janë zona të mbrojtura, tashmë me këtë ligj u hap, pra u thye diga për të shkuar dhe për të ndërtuar. Dhe e gjitha kjo në bindjen time, e mbështetur, e sponsorizuar nga një grusht i vogël njerëzish të cilët e kanë parë jo vetëm vijën bregdetare, por dhe vende të tjera të natyrës, si mundësi për zhvillim, pra për ndërtim, për vila, për t’i shitur e tjerë e tjerë. Por e gjitha kjo ka të bëjë edhe me një mbrapavijë tjetër. Mënyra se si këto 5, 6, 7 vitet e fundit është zhvilluar turizmi. Pra rendja pas numrave, sa më shumë njerëz, sa më shumë numra, e gjitha kjo sigurisht do të sillte presionin ndaj natyrës, ndaj zonave të mbrojtura. Pra rritja e numrit edhe në mënyrë artificiale…”, tha Tare.
