Me rastin e 28-vjetorit të Betejës së Rrasës së Zogut, më 17 korrik 2026 do të mbahen homazhe përkujtimore në nderim të dëshmorit të kombit, Agron Sadik Krasniqi, dhe bashkëluftëtarëve të tij të rënë në korrik të vitit 1998.
Tubimi i pjesëmarrësve është paraparë në orën 09:00, në Odën e Junikut, ndërsa homazhet do të zhvillohen në Kompleksin Memorial “Rrasa e Zogut”. Përmes kësaj ceremonie do të nderohet sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Ai ishte ndër luftëtarët që u dallua për guximin dhe përkushtimin e tij në luftën çlirimtare.
Agron Krasniqi u lind më 1.9.1967 në Vukoc të Drenasit. I ati i tij, Sadiku ishte martuar me Shukrijen me të cilën sollën në jetë dhjetë fëmijë: Afërditën, Valbonën, Ekremin, Valdeten, Shqipen, Agronin, Adnanin, Meritën, Besnikun dhe Atdheun.
Pas mbarimit të mësimit fillor në shkollën “Jeta e re” në Komoran, Agroni regjistroi shkollën e mesme teknike në Drenas, ku u kualifikua në profesionin e automekanikut.
Që në moshë të re u dallua me tiparet e një djaloshi energjik dhe të pakom-promis në të drejtat e tij. Punoi rreth dhjetë vjet në ndërmarrjen transportuese ”Kosovatrans” në Drenas. Qytetarët e Drenasit nuk do ta harrojnë aktin e Agronit, kur në vitin 1997 kishte hipur mbi autoblindën e milicisë serbe dhe nga kupola e saj shkul flamurin e Serbisë duke e hedhur përtokë.
Më 9 maj të vitit 1998 Agroni ishte në vijën e parë të frontit në betejën e Grykës së Llapushnikut. Ngjashëm veproi edhe në betejat tjera në këtë vatër të luftës.
Pasi një numër i madh i të rinjve kishte shprehur interesim për t’u radhitur në radhët e UÇK-së, në mungesë armatimi kërkesa e tyre nuk mund të merrej në kon-sideratë, prandaj e vetmja mundësi ishte që të organizohej bartja e armatimit nga përtejkufiri i dhunshëm Kosovë-Shqipëri. Më 15 qershor 1998, Bekim Berisha dhe Bedri Shala udhëhoqën një grup të madh vullnetarësh nga zona e Drenicës dhe ajo e Shalës, ku në mesin e tyre ishte edhe Agron Krasniqi.
Pas shumë peripecish dhe evitimit të pritave të forcave serbe, grupi i luftë-tarëve arriti ta kalojë kufirin dhe të vendoset në Tropojë. Për një muaj të plotë, në këtë qytet afër kufirit, ata grumbulluan mijëra armë të ndryshme: pushkë au-tomatike, gjysmautomatike, minahedhës, predha, bomba dore, snajperë të ndryshëm si e municion. Në Tropojë vazhdonin të arrinin vullnetarë nga të gjitha vendet e Kosovës dhe të trojeve etnike. Numri i ushtarëve të veshur me uniformën e UÇK-së dhe të armatosur kishte arritur shifrën rreth 1500 veta, të cilët ndërmjet 17 e 18 korrikut 1998 u nisën drejt kufirit të Kosovës me mbi 300 barrë kuajsh me armatim e municion. Me të arritur te stanet afër kufirit, atje qëndruan deri në mesnatë, kur vendosën ta kalojnë kufirin e të hyjnë brenda Kosovës. Forcat serbe përreth kufirit kishin sjellur mijëra ushtarë dhe paramilitarë,me artileri të rëndë. Ata filluan sulmin nga të gjitha llojet e armëve. Të vendosur për të shpërthyer rrethimin, luftëtarët çlirimtarë nuk u zbrapsën, por vazhduan rezistencën. Tashmë kolona ishte ndarë në dysh. Në një çast një predhë minahedhësi e hedhur nga forcat armike shpërtheu afër një grupi luftëtarësh. Agroni tashmë ishte mbuluar i tëri me gjak. Në pamundësi që t’i ndalej gjakderdhja dhe pastrimi i plagëve, pas disa orësh, në agun e ditës së 18 korrikut, ai mbylli sytë, duke u bërë fli për lirinë e Kosovës, e cila do të arrijë gati pas edhe një viti lufte e gjakderdhjeje.
Forcat militare serbe, trupin e dëshmorit të lirisë Agron Krasniqi dhe të dhjetëra luftëtarëve të tjerë të rënë, i tërheqin dhe i varrosin në kodrën e Çabratit mbi Gjakovë. Pas luftës, me ndihmën e bashkëluftëtarit të Agronit, Hamit Teraku, nga Vitaku i Skënderajt, familjarëve dhe ekspertëve mjeko-ligjorë u bë identifikimi i trupit të dëshmorit Agron Krasniqi. Ai u rivarros në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve dhe martirëve në Negrovc të Drenasit.
Dëshmori i lirisë Agron Krasniqi ka lënë bashkëshorten, Fatimen me fëmijët, Vjollcën, Malësoren, Fitimin dhe Festinën. Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në çlirimin e atdheut, institucione dhe shoqata të dala nga lufta, kanë ndarë mirënjohje, kurse artistë të ndryshëm të estradës i kanë thurrur këngë lavdie.

