Një ngjarje tragjike ka tronditur në qytetin e Shkodrës paraditen e kësaj të hëne, ku një person është gjetur i vdekur dhe një tjetër në gjendje të rëndë në lagjen Mark Lula.Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se dyshohet për një krim pasioni. Sipas informacioneve paraprake, një djalë ka qëlluar me armë zjarri të dashurën duke e plagosur rëndë.
Ndërkohë që më pas i riu ka qëlluar dhe veten me plumb në kokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Vrasja ka ndodhur brenda një makine pranë një lulishteje në vendin e quajtur Fusha e Drruve, në një bllok banimi në hyrje të qytetit të Shkodrës.“Dyshohet që një i ri ka qëlluar të dashurën dhe më pas ka dhënë fund jetës së tij, kjo është ajo që kemi mësuar deri tani. Pra, dyshohet se është një krim pasioni, këto janë të dhënat deri tani,” tha për Euronews Albania, korrespondenti nga Shkodra, Teodor Gjerga.
Vajza ndodhet në luftë me jetën, teksa po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor në reaminacion.
Ende nuk janë bërë të ditura identitetet e viktimave apo rrethanat e krimit të rëndë. Policia ka rrethuar zonën dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.