Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka lëshuar një alarm urgjent duke paralajmëruar se kriminelët kibernetikë dhe grupet e sponsorizuara nga shtete të huaja po shfrytëzojnë platformën e inteligjencës artificiale ARTEX për të automatizuar dhe përshpejtuar sulmet ndaj bizneseve dhe organizatave anembanë botës.
Sipas njoftimit zyrtar të agjencisë amerikane, ky mjet i avancuar ka aftësinë të reduktojë kohën e një ndërhyrjeje kibernetike — që nga identifikimi i shënjestrës e deri te marrja e aksesit me privilegje të larta administrative — në më pak se tre orë.
FBI bëri me dije se platforma ARTEX është përdorur tashmë në incidente të bujshme, përfshirë komprometimin e zinxhirit të furnizimit të kompanisë “ConnectWise” në muajin tetor, një ngjarajë që rrezikoi mjediset e klientëve të “Microsoft 365” dhe u shtri në tentativa autentikimi ndaj më shumë se 2,250 organizatave të ndryshme.
Hetimet dëshmojnë se që prej muajit gusht të këtij viti, aktorë keqdashës e kanë përdorur këtë teknologji për të sulmuar një gamë të gjerë sektorësh jetikë, duke përfshirë shërbimet financiare, institucionet qeveritare, teknologjinë, mbrojtjen, prodhimin e gjysmëpërçuesve, energjinë, shëndetësinë, telekomunikacionin dhe sektorin ligjor.
Përballë këtij rreziku në rritje, autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje kompanive dhe organizatave globale që të shtrëngojnë menjëherë masat e sigurisë, të forcojnë kontrollet e aksesit, të monitorojnë me kujdes aktivitetet e dyshimta të automatizuara dhe të raportojnë çdo incident apo komprometim të mundshëm pranë Qendrës së Ankesave për Krimet në Internet (IC3), në faqen zyrtare ic3.gov.
