Komuna e Prishtinës ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për pajisjet e vendosura në parqet e lojërave për fëmijë. Sipas dokumenteve të siguruara nga lajmi.net, një shportë për mbeturina ka kushtuar 1,230 euro, ndërsa një luhatëse për fëmijë është paguar 2,450 euro.
Gjatë këtij viti, Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Selmans Network” për ndërtimin e parqeve dhe hapësirave të tjera kreative. Vlera e përgjithshme e kontratës është 794 mijë e 348 euro.
Megjithatë, vëmendje të veçantë kanë tërhequr çmimet e disa prej pajisjeve të parapara në këtë kontratë.
Sipas dokumenteve, për një luhatëse të dedikuar për fëmijët e moshës 2 deri në 15 vjeç janë paguar 2,450 euro. Për gjithsej 23 luhatëse të tilla, shpenzimet kanë arritur në 56 mijë e 650 euro.
Ndërkohë, krahasimet me ofertat e publikuara në internet tregojnë se luhatëset e ngjashme në treg kanë çmime që variojnë nga 600 deri në 1,800 euro.
Çmime të larta janë evidentuar edhe te shportat për mbeturina. Një e tillë është blerë për 1,230 euro, ndërsa për 25 shporta janë shpenzuar gjithsej 30 mijë e 750 euro.
Në anën tjetër, sipas ofertave dhe shpalljeve të publikuara në tregun vendor, shporta të ngjashme mund të gjenden me çmime që variojnë nga 80 deri në 500 euro.
Këto dallime në çmime ngrenë pikëpyetje për koston e pajisjeve të blera nga Komuna e Prishtinës dhe arsyetimin e vlerave të përcaktuara në kontratën me operatorin ekonomik “Selmans Network”. /Lajmi.net/
