Emrush Xhemajli e publikon tekstin e botuar në “Zërin e Kosovës” në vitin ’95, pasi LPK e kishte shpall ekzistencën e UÇK’së

Emrush Xhemajli, ish-sekretar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, ka ripublikuar një artikull të tij që e kishte shkruar pak pas 17 nëntorit të vitit 1994, të cilin në atë kohë e kishte botuar me pseudonimin “Halil S. Ramadani”, ku siç deklaron ai, LPK’ja, ‘‘pas shumë aktiviteteve paraprake strukturoi, emërtoi dhe shpalli ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’’.

Xhemajli, shkruan se në këtë artikull të asaj kohe, mbrohet e drejta e popullit tonë për luftë të armatosur çlirimtare.

Xhemajli, në fillim të artikullit i referohet nenit 77 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të vitit 1990, ku theksohet e drejta dhe obligimi e qytetarëve për mbrojtjen e vendit.

Postimi i plotë:

Ky artikull ribotohet me rastin e 17 nëntorit, ditës kur para 32 vjetëve, më 1994, kur Lëvizja Popullore e Kosovës, pas shumë aktiviteteve paraprake strukturoi, emërtoi dhe shpalli ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Artikullin e kam shkruar menjëherë pas kësaj ngjarjeje dhe është botuar në gazetën “Zëri i Kosovës Nr. 1, 1.1.1995.. Në te mbrohet e drejta e popullit tonë për luftë të armatosur çlirimtare. Në vijim po i publikoj disa pjesë të tij. E.Xh.

LUFTË PËR LIRI APO “TERRORIZËM“

“Mbrojtja e vendit është e drejtë e pacënueshme dhe e patjetërsueshme, obligim dhe nder i madh i çdo qytetari“

(Neni 77 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 7 shtator 1990)

Qysh nga maji i vitit 1993 mjetet e informimit të pushtuesit serbo-maqedono-malazez si dhe mjetet e informimit shqiptar herë pas here po japin lajme dhe komente për aksione të armatosura në viset e pushtuara shqiptare të drejtuara kundër prezencës serbe në Kosovë.

Forca të ndryshme në Kosovë dhe Serbi këto dhe veprime të ngjashme politikisht i kanë interpretuar në mënyra të ndryshme, varësisht kush e ka bërë interpretimin, pse dhe çfarë qëllimesh do të arrijë me të.

Logjika e pushtuesit

Serbia zyrtare këto veprime i quajti ”terroriste“. Ndërsa aktorët e veprimeve të tilla ”terroristë“. Me këtë Serbia ka për qëllim që të diskualifikojë politikisht çdo përpjekje për të rezistuar kundër saj, që të vazhdojë qëndrimin në Kosovë. Dihet qëndrimi i Serbisë.

Cili shqiptar që i rezistoi shovenizmit nuk u akuzua si ”terrorist“ dhe cila veprimtari aktive në Kosovë nuk u akuzua si ”terroriste“? Madje shqiptarët si tërësi për Serbinë janë ”terroristë“.Në cilin vend të okupuar në botë agresorët nuk përdorën dhe nuk përdorin terma të tillë?

“Opozita“ serbe e malazeze gjithashtu bëri propagandë partiake sipas së cilës partia në pushtet i ka inskenuar vetë sulmet mbi vetëveten për të mbajtur pushtetin. E çuditshme është se në deklaratat e kësaj farë opozite, mbështeten legalistët shqiptarë në Kosovë. Ata harrojnë se në Serbi rreth çështjes së Kosovës nuk ka opozitë. Këte ata e bëjnë për të fituar pika dhe për të marrë pushtetin. Me ta marrë pushtetin, ata do të sillen në Kosovë njësoj ashpër si dhe partia e tashme serbe në pushtet. Bie fjala, Drashkoviqi (lirimin e të cilit nga burgu i Millosheviqit nëse u kujtohet, e kërkonin edhe disa subjekte të organizuara dhe disa individë shqiptarë të vetëdijshëm), me këmbëngulje po kërkon që sa më parë të sillen në Kosovë 150 mijë kolonë serbo-malazezë. Ndërsa të tjerë opozitarë kërkojnë instalimin e trupave elite serbe që luftuan në Bosnje e Kraina për të mbajtur të pushtuar Kosovën.

Shërbëtorët e pushtuesit

Partitë politike legaliste, të gjetura ngusht para popullit në rrafshin e këtyre ngjarjeve, bëjnë propagandë boshe dhe “naive“ (e fusim në thojza sepse në fakt kjo propagandë nuk është aspak naive). “Jemi kundër çdo lloj terrorizmi pra edhe kundër akteve që u paraqitën në Gllogovc nga maji i vitit të kaluar“ thanë në fillim. Këto akte “terroriste“ kundër pushtetit okupues po i kryen vetë Serbia, vazhdojnë më tutje. Pse? Për të kompromituar lëvizjen paqësore të shqiptarëve. Për të shkaktuar “konflikt me përmasa të gjëra në Kosovë“… -përgjigjen ato. Kështu thonë disa nga politikanët shqiptarë.

Me marrëzirat e tyre, partitë politike legaliste në Kosovë në fakt e rizhveshin vetëveten para masave. Ato në këtë mënyrë distancohen edhe nga Kushtetuta e Kosovës dhe Referendumi për shtet të pavarur e sovran të Kosovës.

Duke pasur parasysh terrorin e madh të Serbisë, realitetin konkret të Kosovës kemi të drejtë të konkludojmë: Këto akte janë diçka tjetër. Ato janë akte lirie. Popullit kohëve të fundit ka filluar t’i humbë durimi në pritje të intervenimeve spektakulare në Kosovë të të huajve për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve. Prandaj ka filluar të lëvizë vetë.

Terrorizmi i okupatorit dhe lufta për liri

Faktet flasin se terrorizëm dhe terroristë ka nga ana e pushtuesve. Për më tepër, terrorizmin, pushtuesit serbë, maqedonë dhe malazezë e kanë ngritur në terrorizëm sistematik shtetëror, duke e zgjeruar edhe jashtë vendit. Ata bënë akte terroriste që nuk u ndëshkuan asnjëherë dhe po bëjnë terror të përditshëm në Kosovë në sy të gjithë botës. Përderisa edhe nuk dhanë llogari për vrasjen e dhjetra vetëve në demonstratat e vitit 1981-90, përderisa në njerën anë nuk dhanë llogari për vrasjen e qindra vetëve e deri edhe foshnjeve të djepit siç ishte rasti i Fidan Brestovcit, dhjetëra të mbytur në burgje e qindra në ushtri, Beogradi nuk ka të drejtë të ankohet në botë pse populli shqiptar që kërkon liri në mbrojtjen e dinjitetit të tij i ekzekuton kriminelët që bota po tregohet e paaftë për t’i marrë në përgjegjësi në gjyqet ndërkombëtare.

Serbia po i vret ushtarët dhe bashkëpunëtorët e vet por jo në kuptimin që i japin disa. Por vetëm në kuptimin se ajo po i dërgon në Kosovë, në një shtet të huaj për të. Në këtë kuptim ajo duhet të përgjigjet para familjeve të atyre që po humbin jetën, në luftën për të mbajtur të pushtuar një vend tjetër.

Terrorin në popull pushtuesi nuk e ndali dhe nuk do ta ndalë. Ai për këtë gjithnjë gjeti dhe do të gjejë pretekste. Ai në programin e vet ka futur ndërrimin e strukturës së popullsisë shqiptare. Terrori që pushtuesi bën në popull në emër të ndjekjes së “terroristëve“ është një politikë e tejdukshme.

Gjithë bota e din se në Kosovë nuk ka “terroristë“ dhe “terrorizëm“ nga ana e shqiptarëve. Lufta kundër prezencës së ushtarëve, oficerëve, rojeve dhe shërbëtorëve të bindur të pushtuesve jo vetëm që nuk është terrorizëm por akti më i lartë patriotik.

Mbrojtja e vendit-detyrë e shenjtë për çdo shqiptar

Le t’i refereohemi edhe anës kushtetuese. “Mbrojtja e vendit është e drejtë e pacënueshme dhe e patjetërsueshme, obligim dhe nder i madh i çdo qytetari“. Neni 77 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Apo antiteza simetrike: “Sabotimi i mbrotjes nga agresorët është turpi më i madh për çdo qytetar“. Shtetin tonë e kemi shpallur me vullnetin e shumicës së popullatës në Kosovë dhe autonominë territoriale në viset e Kosovës në Maqedoni dhe Kosovën Lindore. Në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, askush nuk ka të drejtë për të hyrë në territorin e Kosovës pa u paraqitur te organet e shtetit tonë. Serbia dhe Maqedonia mban me dhunë, ushtrinë në territoret tona, pa lejen e shumicës së popullatës, pa lejen e Presidentit të Shtetit dhe pa leje të Parlamentit, pa të drejtën e sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës. Në çdo shtet tjetër të botës po të hyhet dhe të qëndrohet, siç bëjnë pushtuesit në tokat tona, do të likuidohen dhe kjo do të quhet luftë për liri. Andaj edhe lufta e popullit tonë është e tillë.

Hartues i tekstit Emrush Xhemajli: Ky artikulli u botua me pseudonimin “Halil S. Ramadani”

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME