Trump paralajmëron Iranin për pretendimet mbi një sulm të mundshëm me “bombë të pistë” në Washington

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja të paprecedenta nëse përpiqet të kryejë një sulm me “bombë të pistë” apo armë kimike në Washington. Deklarata e tij vjen pas një raportimi të CNN-it, i cili, duke cituar burime nga inteligjenca amerikane, pretendoi se Teherani po shqyrton mundësinë e një sulmi të tillë.

I pyetur nga gazetarët në Manila nëse ekziston një kërcënim i menjëhershëm, Trump u përgjigj se, nëse një sulm i tillë ndodh, Irani “do të paguajë një çmim që asnjë vend nuk e ka paguar ndonjëherë më parë”I pyetur sërish nëse kishte arsye për të besuar se sulmi ishte i afërt, presidenti amerikan tha: “Shpresoj që jo, por ne e marrim këtë shumë seriozisht, sepse ata janë të çmendur”. Ai shtoi se autoritetet amerikane po e hetojnë çështjen.

Sipas raportimit të CNN-it, inteligjenca amerikane ka siguruar informacione se Irani po zhvillon plane për të goditur zyrtarë të lartë të administratës Trump me një bombë të ashtuquajtur “të pistë” ose me armë kimike në kryeqytetin amerikan.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë mbeten të ndarë lidhur me aftësinë e Iranit për ta realizuar një sulm të tillë, si dhe nëse Teherani ka vërtet synim ta zbatojë planin. Burimet e cituara nga CNN-i thanë se aktiviteti i raportuar duket më shumë si përpjekje për të krijuar mundësi të ndryshme veprimi sesa si shenjë e një sulmi të afërt.

Sipas dy burimeve, planet përmbanin lokacione dhe objektiva konkrete, çka ka nxitur përgatitjen e masave të mundshme kundër një sulmi. Megjithatë, ekzistojnë dyshime nëse Irani ka personelin e nevojshëm brenda SHBA-së për ta realizuar atë.

Një burim i cituar nga CNN-i tha se aftësia e Iranit për të kryer një sulm të tillë nuk është rritur, por ajo që ka ndryshuar është motivimi i mundshëm i Teheranit. Deri më tani, sipas raportimit, nuk ka prova se Irani ka vendosur të vazhdojë me zbatimin e planit.

Një bombë e pistë është pajisje që kombinon eksplozivët konvencionalë me materiale radioaktive, të cilat shpërndahen në mjedis përmes shpërthimit. Ajo nuk shkakton reaksion bërthamor si një armë atomike, por mund të kontaminojë një zonë të caktuar dhe të krijojë rrezik për shëndetin e njerëzve.Shtëpia e Bardhë u përpoq të qetësonte shqetësimet, duke theksuar se aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan.

“Ne po monitorojmë çdo kërcënim të mundshëm, por në këtë moment nuk ka kërcënime të besueshme ndaj atdheut”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis.

Raportimi i CNN-it u publikua një ditë pasi kreu i shërbimit izraelit të inteligjencës Mossad, Roman Gofman, u kthye nga Washingtoni, ku raportohet se ishte takuar me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, për të ndarë informacionet më të fundit të Izraelit lidhur me Iranin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërkohë, ka këmbëngulur që SHBA-ja dhe Irani të vazhdojnë fushatën ushtarake kundër regjimit iranian.Sipas disa raportimeve në mediat amerikane, disa zyrtarë të lartë të administratës amerikane janë zhvendosur në objekte ushtarake ose rezidenca qeveritare të mbrojtura, për shkak të shqetësimeve të mundshme të sigurisë.

Teherani i ka hedhur poshtë pretendimet për përgatitjen e një sulmi me bombë të pistë, duke i cilësuar ato si të pabaza.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se raportimet për planet e pretenduara janë pjesë e një narrative të sajuar mediatike, që sipas tij synon të krijojë justifikime për sulme ndaj infrastrukturës jetike të Iranit.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Baghaei theksoi se Teherani e konsideron përdorimin e armëve kimike të paligjshëm në çdo rrethanë dhe i mohon kategorikisht akuzat.“Irani e di shumë mirë se si t’i përgjigjet çdo akti agresioni dhe siguron se kjo përgjigje nuk do të harrohet”, paralajmëroi diplomati iranian.

Teherani ka kërcënuar vazhdimisht SHBA-në, Izraelin dhe vendet që mbështesin veprime të reja ushtarake kundër tij, duke paralajmëruar se reagimi mund të shtrihet edhe në territoret e tyre.

Këto kërcënime vijnë në një kohë kur SHBA-ja dhe Irani vazhdojnë përballjen në Ngushticën e Hormuzit, ku të dyja palët po shtojnë presionin për të siguruar kushte sa më të favorshme në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME