Anija e famshme SS United States, e cila dikur ishte më e shpejta në botë dhe më e gjatë se Titaniku, është fundosur qëllimisht pranë brigjeve të Floridës, me synimin që të shndërrohet në shkëmbin artificial më të madh në botë.
Pas gati 30 vjetësh e ankoruar në Philadelphia, anija u zhvendos drejt Floridës, ku do të shërbejë si habitat për jetën detare dhe si atraksion nënujor për entuziastët e zhytjesPërpjekjet e aktivistëve për ta ruajtur anijen historike si muze dështuan. Në vend të kësaj, pasi u ble nga autoritetet e një qarku në Florida, u vendos që ajo të shndërrohej në një shkëmb artificial. Ndërkohë, është planifikuar edhe hapja e një muzeu në tokë, ku do të prezantohet historia e saj.
SS United States nisi udhëtimet transatlantike në vitin 1952 dhe vazhdoi deri në vitin 1969. Gjatë kësaj periudhe, ajo transportoi familjarë mbretërorë, personalitete politike dhe yje të njohur nga Shtetet e Bashkuara drejt Evropës dhe anasjelltas.
Në mesin e udhëtarëve të saj ishte edhe Bill Clinton, përpara se të bëhej president i SHBA-së. Me këtë anije udhëtuan gjithashtu ish-presidentët amerikanë Harry Truman, Dwight Eisenhower dhe John F. Kennedy.Në bord kanë qenë edhe emra të njohur të artit dhe kulturës, si Marlon Brando, Coco Chanel, Duke Ellington, Salvador Dalí, Walt Disney, Judy Garland dhe Cary Grant.
Anija u largua nga Philadelphia vitin e kaluar dhe u dërgua në Alabama për pastrim dhe trajtim të materialeve të saj. Të hënën nisi udhëtimin e fundit drejt brigjeve të Destinit në Florida, ku të mërkurën u fundos në një operacion të kontrolluar dhe pa përdorimin e eksplozivëve.
Përpara se të blihej nga autoritetet lokale të Floridës, ishin propozuar disa projekte për t’i dhënë anijes një jetë të dytë, përfshirë shndërrimin në muze ose hotel lundrues. Megjithatë, asnjëra prej këtyre nismave nuk u realizua.
Për vite me radhë, SS United States qëndroi në porte të ndryshme, ndërsa pronësia e saj u bë objekt i betejave ligjore.Grupi SS United States Conservancy bëri vazhdimisht përpjekje për ta shpëtuar anijen dhe për ta mbajtur mbi ujë, por pa sukses.
Presidentja e organizatës, Susan Gibbs, gjyshi i së cilës kishte ndihmuar në projektimin e anijes, tha se ishte e kënaqur që historia e saj do të vazhdojë të jetojë.
“Anija ka qenë gjithmonë një simbol amerikan, i shprehur hapur dhe pa rezerva, që bashkon kaq shumë njerëz”, tha Gibbs për CBS News. /Telegrafi/
