Një skenar hipotetik i hartuar nga grupi amerikan i ekspertëve RAND përshkruan një të ardhme të tensionuar për Evropën, ku vdekja e presidentit rus Vladimir Putin në janar 2027 pasohet nga ndryshime në udhëheqjen e Kremlinit dhe, disa vite më vonë, nga një përplasje e drejtpërdrejtë ushtarake mes Rusisë dhe NATO-s.
Sipas skenarit, Putini vdes papritur brenda tre muajve dhe pushtetin në Moskë e merr një ish-gjeneral i shërbimit sekret rus FSB. Udhëheqësi i ri pranon një armëpushim në Ukrainë, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe vende të tjera evropiane, por kjo nuk sjell një zgjidhje përfundimtare të konfliktit.
Megjithëse arrihet marrëveshja për ndërprerjen e luftimeve, objektivat strategjikë të Rusisë mbeten të pandryshuara dhe negociatat e paqes përfundojnë në ngërç.
Pas armëpushimit, skenari parashikon një rritje të pakënaqësisë brenda Rusisë, ndërsa Kremlini nis një fushatë sulmesh hibride kundër vendeve anëtare të NATO-s. Paralelisht, Moska zhvillon një fushatë dezinformimi, duke pretenduar se popullsia rusishtfolëse në Evropën Lindore po përndiqet dhe diskriminohet.
