“S’janë flamingo, ka edhe ndërhyrje iraniane”, Rama nga Dublini për protestuesit: Tani janë futur opozita dhe ekstremistët!

Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Dublini protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke hedhur akuza për ndërhyrje të huaja dhe duke pretenduar se lëvizja protestuese ka ndryshuar përbërje që prej nisjes së saj.

Gjatë një forumi në Irlandë, Rama deklaroi se në protestat e fundit janë përfshirë aktorë të tjerë politikë, ndërsa iu referua edhe asaj që e cilësoi si ndërhyrje të regjimit iranian përmes rrjeteve sociale.

Kreu i qeverisë theksoi se nuk ka pretenduar se protestuesit janë organizuar nga regjimi iranian, por këmbënguli se ky i fundit ka ndikuar në nxitjen e protestave përmes mediave sociale.

Sipas Ramës, pas fillimit të protestave në qershor, situata ka ndryshuar dhe në to janë përfshirë edhe aktorë të opozitës politike, si dhe grupime nga e majta dhe e djathta ekstreme.

“Tani ka ‘zogj’ të tjerë, opozita politike, një kombinim kahjesh nga e majta dhe e djathta ekstreme. Tani ka dhunë dhe dhuna është e papranueshme”, u shpreh Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur protestat dhe përplasjet politike në vend mbeten në qendër të debatit publik. Gjatë fjalës së tij në Dublin, Rama u pyet edhe për korrupsionin në Shqipëri. Kryeministri pranoi se vendi ka probleme me korrupsionin, por pretendoi se për herë të parë ekziston një sistem që po e lufton atë.

“A ka probleme Shqipëria me korrupsionin? Ka. Por a është vendi duke qëndruar duarkryq apo po e lufton korrupsionin? Po, vendi po e lufton korrupsionin. Për herë të parë kemi një sistem që po e lufton korrupsionin”, deklaroi kreu i qeverisë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME