I dyshuari për organizimin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli, gjatë intervistimit në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka pranuar se e ka blerë armën për Granit Plavën.
Në Prokurori, bashkëshorti i viktimës, i cili u soll nga burgu nën masa të rrepta të sigurisë, sipas burimeve të televizionit pranoi se i ka dhënë paratë për armën, me të cilën dyshohet se u vra Liridona, përkundër faktit se ka thënë se ka qenë hera e tretë që e ka takuar në jetën e tij.
“Naimi tha se ai ia bleu armën Granitit dhe se ka qenë hera e tretë që e ka taku Granitin. Naimi e ka pranu që në kohëra të ndryshme i ka dhanë para Granitit dhe Kushtrim Kokallës”.
Po të njëjtat burime kanë treguar se Tomë Dodaj, nga i cili dyshohet se Murseli dhe Plava e blenë armën, para organit të akuzës pranoi se ua ka shituar armën dy të dyshuarve, në vlerë prej vetëm 280 eurosh.
Jozyrtarisht, ATV-ja mëson se kur i është prezantuar arma e sekuestruar, Dodaj e ka identifikuar se ka qenë arma e njëjtë që ua ka shitur Granitit dhe Naimit. Armën dyshohet, se ata e provuan në oborrin e tij.
Versionin e Dodajt, se armën e kanë provuar duke shtënë nga një plumb secili, e ka konfirmuar edhe Murseli gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.
“Naimi bashkë me Granitin kanë shku të autoservisi i Tomës, edhe kanë kërku një gomë me ndreq. Por ai ju ka tregu që nuk kanë për me rregullu gomë, Naimi e ka hapë temën se ka mbetur pa revole, dhe se e kishte ble, nëse e gjen një. E kanë provu në oborr, kanë qitë edhe Naimi edhe Graniti, e kanë ble 250 euro një revole dhe 30 euro plumba, 20 plumba kanë qenë në të. Naimi ka tentuar ta arsyetojë dorëzimin e armës Te Graniti, si arsye që Graniti nuk ka pasur para të mjaftueshme për ta blerë një armë “, tha Dodaj.
Por Granit Plava është mbrojtur në heshtje duke thënë që deklaratat e tij në Polici i ka dhënë nën presion. Ndërsa, Kushtrim Kokalla do të intervistohet gjatë muajit shkurt, pasi mbrojtja ka kërkuar që fillimisht të pajiset me prova.
E, mbrojtja e Naim Murselit në një përgjigje me shkrim, ka thënë se versioni i të dyshuarit i dhënë në Prokurori, është ndryshe nga ajo çfarë është publikuar në media dhe rrjete sociale.
Sot para Prokurorisë Themelore – departamenti për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar për të cilin është i orientuar në drejtim të veprës penale Vrasje e Rëndë në bashkëkryerje.
“I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale. Ne të ardhmen kanë mbetur të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë dhe pas dëgjimit të tyre do t’ju informojmë lidhur me rrjedhën e procedurës dhe përmbajtjen e deponimeve të tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore. /atvlive.tv