Një incident me kanosje është raportuar të shtunën në Skenderaj, ku cak i kërcënimit të dyshuar ka qenë Hysni Mehani, zëvendësministër në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 17 tetor, rreth orës 12:20, në rrugën “Idriz Rreci”, derisa Mehani po lëvizte në këmbë.
Sipas deklarimit të tij në Polici, një person që po lëvizte me veturë të tipit Audi i kishte dalë përpara, kishte ndaluar automjetin dhe, pasi kishte hapur xhamin, dyshohet se e kishte kanosur.Pas incidentit, personi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Mehani nuk kishte arritur ta identifikonte atë dhe as t’i mbante mend targat e veturës.
Rreth orës 12:50, zëvendësministri është paraqitur në Stacionin Policor në Skenderaj, ku ka denoncuar rastin.Megjithatë, hetimet policore kanë çuar në identifikimin e personit të dyshuar.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, bëhet fjalë për Agon Veliun, 46 vjeçar, i cili më pas është paraqitur në stacion policor dhe është intervistuar nga njësia e hetimeve.Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Kanosje”, ndërsa Veliu është liruar në procedurë të rregullt.
Rrethanat dhe motivi i kanosjes së dyshuar mbeten objekt i hetimeve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
