Bankat vazhdojnë të performojnë me profite më të larta të raportuara ndonjëherë. Bazuar në të dhënat e fundit të BQK-së, performansa e sektorit bankar në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023 realizoi profit neto prej 123.7 milionë euro, niveli më i lartë në raport me periudhat e njëjta të viteve paraprake.
Të hyrat kryesisht janë rritur nga rritja e normës së interesit të kredive.
“Rezultati i tillë financiar u arrit kryesisht nga rritja e të hyrave, e cila ishte më e larët se një vit më parë, përderisa edhe shpenzimet vazhduan trendin rritës për të dytin vit me radhë. Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 317.1 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 17.2 për qind (13.6 për qind deri në shtator 2022). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor e kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.0 për qind të gjithsej të të hyrave”, thuhet në raport.
Në kuadër të të hyrave nga interesi, sipas raportit, arkëtimet nga interesi i kredive kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit, posaçërisht në tre vjetët e fundit, si edhe rritjes së normave të interesit në kredi.
Për më tepër, të hyrat nga plasmanet me bankat janë rritur theksueshëm, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Ndërsa, kategoria e të hyrave nga jo interesi, kryesisht nga tarifat dhe komisionet, shënoi rritje më të ngadalësuar vjetore prej 4.1 për qind nga rritja prej 14.1 për qind një vit më parë, duke arritur vlerën prej 72.0 milionë eurosh në fund të shtatorit 2023.
Sipas BQK-së, në tregun bankar në Kosovë, normat e interesit në depozitat e reja janë ndikuar në nivel më të lartë se normat e interesit në kredi të reja. Në shtator të këtij viti, norma e interesit në kredi arriti në 6.5 për qind nga 6.3 për qind në shtator 2022.
Po ashtu shkalla mesatare e interesit në depozita u ngrit në 2.4 për qind nga 1.9 për qind në shtator 2022. Margjina e interesit kredi-depozitë u ngushtua në 4.08 pikë përqindje nga 4.33 pikë përqindje për shkak të rritjes më të lartë të normës së interesit në depozita krahasuar me ato në kredi. /Indeksonline/