Rizvanolli ngre dyshime dhe kërkon hetim për tarifat e rrymës në veri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të monitorojë dhe të hetojë dallimet në çmimin e energjisë elektrike që paguajnë qytetarët në veri të Kosovës krahasuar me pjesën tjetër të vendit.

Pas pyetjeve nga gazetarët për këtë çështje, Rizvanolli në një konferencë për media tha se institucionet duhet të sigurohen që tregu i energjisë elektrike të ketë mbikëqyrje dhe monitorim, duke vlerësuar se dallimet në çmime ngrenë pikëpyetje për funksionimin e konkurrencës.

Ajo ka theksuar se furnizuesi i shërbimit publik në veri e blen pjesën dërrmuese të energjisë elektrike nga KEK-u me çmim prej 30 eurosh për megavat-orë, shumë më të ulët se çmimi i tregut.

Sipas saj, ky është një nga faktorët kryesorë që mundëson tarifa më të ulëta të energjisë elektrike në Kosovë.

“Tarifat janë tarifa, faturat janë fatura. Këto shikohen, krahasohen dhe bëhet përllogaritja. Për ne si institucione është me rëndësi që tregu të ketë mbikëqyrje dhe monitorim. Për këtë, Zyra e Rregullatorit për Energji duhet ta monitorojë tregun, siç e ka në mandat, dhe duhet të shohë e të hetojë pse ekzistojnë këto dallime në çmime. Arsyeja pse është e çuditshme që të ketë dallim në çmim është se në pjesën tjetër të vendit, furnizuesi i shërbimit publik e blen shumicën dërrmuese të energjisë së KEK-ut me një çmim shumë nën treg, që është 30 euro për megavat-orë. Prandaj, kjo është arsyeja kryesore pse ne arrijmë t’i kemi tarifat më të lira në rajon, jo vetëm në Evropë. Fakti që ka një furnizues në Republikën e Kosovës që furnizon me tarifa më të ulëta, të bën të dyshosh nëse konkurrenca është fer. Kjo është një çështje që ZRRE-ja, jam e bindur se do ta trajtojë me seriozitet”, deklaroi Rizvanolli.

Për këtë çështje, shkroi dje edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, duke thënë se se qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës paguajnë deri në 22.4 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike sesa qytetarët në veri.

Përmes një postimi, Ymeri ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se qytetarët po përballen me fatura më të larta të energjisë elektrike.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! me strukturën e vet instaluese në energji ka vendos që deri në 22.4% me pagu më shtrenjtë kosovarët rrymën sesa serbët në veriun e Kosovës. Mund të vazhdoni me shpërnda video ku paraqitem dhe linçohem. E vërteta, pa dyshim se i vjen secilit në terr, në ftohtë e në fatura”, ka shkruar Ymeri.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME