Pse e kemi kaq të vështirë ta kuptojmë idenë e “rendeve imagjinare”?

Nga: Atdhe Gjoci

Pse e kemi kaq të vështirë ta kuptojmë idenë e “rendeve imagjinare”?

Sepse shpesh supozojmë se realiteti ndahet vetëm në dy kategori: objektiv dhe subjektiv.

Realiteti objektiv: Ekziston në mënyrë të pavarur nga besimet apo ndjenjat tona. Graviteti vepronte me të njëjtën forcë edhe para se ta zbulonte Njutoni.

Realiteti subjektiv: Varet nga përjetimet dhe ndjesitë personale të individit.

Por historia nuk ndërtohet vetëm mbi këto dy kategori. Ekziston edhe një mundësi e tretë: realiteti ndërsubjektiv.

Filozofi Donald Davidson, në trajtimin e tij të marrëdhënies mes subjektives, ndërsubjektives dhe objektives, thekson se këto tri dimensione janë të lidhura me njëra-tjetrën, pa u reduktuar te njëra-tjetra.

Nëse miliarda njerëz besojnë te Zoti, paraja apo kombi, këto nuk janë më thjesht besime subjektive individuale. Këto bëhen realitete ndërsubjektive, të cilat varen nga rrjeti i komunikimit dhe besimit të përbashkët mes njerëzve. Faktorët më të fuqishëm që kanë formësuar historinë janë ndërsubjektivë.

Marrim paranë. Një kartëmonedhë mund të preket fizikisht, por vetë letra nuk ka vlerë objektive. Sot mund të blesh një byrek për 2 euro, por jo më me 4 marka gjermane. Euroja vlen sepse një komunitet i tërë pranon ta njohë atë si monedhë; përndryshe, ajo mbetet vetëm letër.

E njëjta logjikë vlen për ligjet, kushtetutat, kufijtë dhe rendet politike.

Bashkimi Sovjetik, megjithëse zotëronte fuqi të jashtëzakonshme, pushoi së ekzistuari si realitet gjeopolitik më 8 dhjetor 1991. Në një shtëpi pushimi pranë Viskulit, udhëheqësit e Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë nënshkruan Marrëveshjet e Belovezhës. Me një marrëveshje politike, një rend që dukej i pathyeshëm filloi të zhdukej.

Në vitin 1187, pasi Saladini mposhti ushtritë e Kryqëzatës në Betejën e Hattinit dhe pushtoi Jerusalemin, në Evropë u thirr Kryqëzata e Tretë. Imagjinoni një fisnik të ri anglez me emrin Xhon, i cili niset drejt Tokës së Shenjtë me bindjen se po lufton për Zotin dhe se vdekja në luftën e shenjtë do t’i siguronte parajsën.
Po ta dinte Xhoni se Zoti, ligjet, kufijtë, paratë dhe rendet politike ishin krijime njerëzore, a do të vdiste për to? Jo. Por kjo ishte rrjeta e jetës së shekullit XII.

Mendoni për një qytet ku përhapet bindja se një copë tokë që sot kushton 10 mijë euro, pas një viti do të kushtojë 100 mijë. Njerëzit fillojnë ta blejnë jo sepse toka ka ndryshuar fizikisht, por sepse besojnë se edhe të tjerët do të besojnë të njëjtën gjë. Çmimi rritet, dhe të tjerë blejnë. Pastaj njerëzit humbin besimin se çmimi do të vazhdojë të rritet. Fillojnë të shesin, të tjerët bëjnë të njëjtën gjë dhe vlera bie. Toka është e njëjta; por vlera që i japim mund të jetë produkt i besimit të përbashkët.

A mendoni se pas 100 vjetësh, Zoti, demokracia, paraja tradicionale, kufijtë dhe kombet do t’u duken pasardhësve tanë po aq të pakuptimta sa na duken neve disa nga rendet e së kaluarës?

Pyetje për diskutim: Cili nga “rendet imagjinare” të sotme do të ndryshojë ose të zhduket?

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME