Kryeministri Albin Kurti premtoi gjatë fushatës zgjedhore mes tjerash se ky do të ishte “mandati i digave”.
Ndërtimi i pesë digave të reja në Kosovë u përfshi edhe në programin qeverisës. Javën e kaluar, gjatë debatit në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, opozita vuri në pikëpyetje realizimin e këtij zotimi dhe kritikoi shumën e paraparë për digat.E pyetur për këtë në “Përballje Podcast” me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, tha se ndërtimi i katër digave planifikohet të nisë në vitin 2028.
“Kuqica, projektimi final përmbyllet gjatë vitit 2027, kur hapet edhe tenderi për ndërtim. Punimet nisin në vitin 2028. Pollata, dizajni konceptual ka përfunduar. Gjatë vitit 2027 përmbyllet projekti final dhe hapet tenderi. Ndërtimi nis në vitin 2028. Desivojca, studimet përgatitore kanë përfunduar dhe projekti detal është në proces të kompletimit. Përmbyllet në vitin 2027, ndërsa ndërtimi nis në vitin 2028. Firaja, studimet përgatitore kanë përfunduar dhe projekti detal është në proces të kompletimit. Përmbyllet në vitin 2027, ndërsa ndërtimi nis në vitin 2028. Dragaqina, projekti është në fazën përgatitore dhe projektuese, ndërsa ndërtimi planifikohet të nisë në vitin 2029”, ka shtuar ajo. Sipas saj për digën e pestë, atë të Dragaçinës në Suharekë, synimi është që punimet të nisin më 2029, pasi projekti është në një fazë më të hershme.
Katër digat për të cilat Ministria synon të nisë punimet në vitin 2028 janë Kuçica në Skenderaj, Pollata në Podujevë, Desivojca në Kamenicë dhe Firaja e Poshtme në Shtërpcë.
A përfundon ndonjë digë brenda mandatit?
Gazetari ia rikujtoi ministres zotimin për “mandatin e digave” dhe e pyeti nëse, sipas afateve që po paraqiste, mandati do të kalonte me procedura dhe punime pa përfunduar ndonjë digë. Ai e pyeti gjithashtu nëse të paktën njëra prej tyre mund të përfundojë brenda dy vjetëve të ardhshëm.“Jo, nuk mundemi me thanë që nuk ka që përfundon. Problemi më i madh me digat është faza studimore”, tha Pacolli-Dalipi.
Ajo shpjegoi se studimet përfshijnë matjen e prurjeve në sezone të ndryshme për të përcaktuar nëse në lokacionin e zgjedhur ka ujë të mjaftueshëm për rezervuarin.
“Në vitin 2028 ka me fillu ndërtimi i katër digave”, tha ajo.
Në çfarë faze janë projektet dhe si do të financohen?
Sipas ministres, projekti i detajuar për Kuçicën ka përfunduar dhe do të rishikohet para tenderimit. Për Pollatën ka përfunduar projekti konceptual, ndërsa projekti i detajuar pritet të dorëzohet në vitin 2027. Studimet për Desivojcën dhe Firajën e Poshtme kanë përfunduar dhe, sipas saj, projektet e detajuara për të dyja digat mund të përmbyllen po atë vit.Pacolli-Dalipi tha se 1,5 milion eurot e parapara për digat në projektbuxhetin e vitit 2027 lidhen me hapjen e procedurave të tenderimit.
“Ne do t’i ndërtojmë ato me kredi të buta dhe me grante”, tha ajo, duke shtuar se projektet do të mbështeten edhe nga buxheti i Kosovës.
Për Desivojcën, ministrja përmendi financimin nga Banka Botërore, ndërsa për Firajën e Poshtme përmendi mbështetjen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/.
